Pas votimit në Kuvend të dekretit të amenduar të Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, për ligjin për teatrin, ka ardhur edhe reagimi i parë nga Partia Demokratike.
Është deputeti i Elbasanit, Luçiano Boçi, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale shprehet se, “Votimi i ligjit special për t’i dhënë pronën publike një klienti dhe për të shembur teatrin, dëshmoi dhe njëherë degradimin moral dhe politik “të tufës” mazhoritare.
Kanë kohë që turpin këta e kanë ngrënë me bukë.”
Më tej, ai shkruan, “Tani po e ripërtypin dhe me kartona.
Një rreshtim i neveritshëm ky i përfaqësuesve që të vetmin përfaqësim, kanë aferën e rradhës së Ramës së tyre.”
Në përmbyllje të reagimit të tij, ai thotë: “Parada e kartonave që shembin historinë është shembulli më i keq i një politike që varros vlerat kulturore dhe grabit vlera monetare.”
Kujtojmë se Kuvendi kaloi me 75 vota dekretin e amenduar të Presidentit për ligjin për teatrin, ndërsa në votim nuk mori pjesë Ministri i Diasporës, Pandeli Majko dhe vetë kryeministri Rama.
(B.B/ Faxweb.al)