Do të mbahen sot zgjedhjet e pjesshme në bashkinë Kukës. Albert Halilaj i Partisë Socialiste do të jetë përballë Emri Vatës të koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Këto zgjedhje të pjesshme vijnë si pasojë e skandalit të ish-kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici. Ky i fundit është në paraburgim dhe po hetohet nga SPAK për shpërdorim detyre.
Mazhoranca vendosi të dilte në zgjedhje me Albert Halilajn, i cili do të mbajë numrin 1 në fletën e votimit. Opozita nuk mundi të dalë me një kandidat të unifikuar nga të gjitha palët opozitare.
Partia Demokratike (Rithemelimi) mbajti sërish primaret të cilat u fituan nga Emri Vata. Në zgjedhje, kandidati i opozitës nuk mundi të futet dot me logon e Rithemelimit, por nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” me Partinë e Lirisë dhe Partinë Demokristiane. Emri Vata do të jetë numri 2 në fletën e votimit.
Të drejtën për të votuar e kanë rreth 46 mijë votues kuksianë.
Zgjedhjet priten me interes, pasi skandali i Gjicit mund të bëjë votuesit të ndryshojnë kah këto zgjedhje të pjesshme.
Discussion about this post