Raundi i dytë i bisedimeve midis Rusisë dhe Ukrainës të mbajtur në Stamboll kanë përfunduar pa arritur ndonjë marrëveshje paqeje. Përfundimin e bisedimeve së pari e kanë konfirmuar mikpritësit turq duke thënë me anë të një zëdhënësi të Ministrisë së Jashtme se, “Takimi mbaroi, por mbaroi keq”.
Bisedimet – kontaktet e dyta të tilla të drejtpërdrejta midis palëve që nga viti 2022 – filluan gati dy orë me vonesë nga sa ishte planifikuar pa asnjë shpjegim për vonesën. Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov negociatori kryesor ukrainas foli para mediave menjëherë pas mbylljes së takimit.
“Pika e tretë në agjendë është takimi i liderëve. Ne ramë dakord për shkëmbimin dhe së shpejti do të ju informojmë për detajet e shkëmbimit. Jemi fokusuar tek ata që janë seriozisht të sëmurë. Jemi fokusuar tek të rinjtë dhe kategoritë e tjera si dhe shkëmbimet e personave të vdekur. Ne po bëjmë thirrje për punë të vërtetë për t’i dhënë fund kësaj lufte – armëpushim, veprime humanitare, takim udhëheqësish. Nëse Rusia është serioze, do të bjerë dakord. Nëse jo, duhet të pasojnë sanksionet“, tha Rustem Umerov, ministri i Mbrojtjes së Ukrainës.
Nga ana e tij, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha nga Vilnusi se nëse Rusia e kthen takimin e Stambollit në një forum bosh, atëherë duhet të vendosen sanksione në nivelin e G7.
“Bisedimet në Stamboll sapo mbaruan dhe unë jam duke pritur për Ministrin Umerov për një raport final. Ata shkëmbyen dokumentet nëpërmjet palës turke dhe presim një shkëmbim të ri të të burgosurve. Sot e shohim situatën shumë qartë. Nëse Rusia e kthen takimin në Stamboll në një forum bosh, atëherë duhet të ketë një nivel të ri presioni, sanksione të reja dhe jo vetëm nga Europa. Duhet të punojmë për sanksione të reja në nivelin e G7 duke përfshirë dhe Shtetet e Bashkuara dhe me çdokënd në botë që do paqe”, tha Volodymyr Zelenskyy, President i Ukrainës.
Atmosfera në Rusi para bisedimeve të Stambollit, ishte e tensionuar si pasojë e ndikimit të luftës ndërsa zyrtarët e vijës së ashpër i bënin thirrje Moskës ti jepte një goditje të frikshme hakmarrëse kundër Kievit pasi Ukraina të dielën nisi një nga sulmet e saj më ambicioze të luftës, duke synuar bombarduesit rusë me rreze të gjatë veprimi me kapacitet bërthamor në Siberi dhe gjetkë.