Një 53-vjeçar ka shprehur publikisht mbështetjen për Ben Blushin, por ka përfunduar i dhunuar nga garda e Republikës dhe policia e Korçës.
Bëhet fjalë për një qytetar të quajtur Niko Dinko, i cili rreth orës 14:00, sapo ka parë kryeministrin që po shkonte drejt Muzeut të Artit Mesjetar në Korçë, i është afruar dhe ka hedhur parrulla kundër qeverisjes së tij. Përveç kësaj shprehu edhe mbështetjen e tij ndaj Ben Blushit.
“Poshtë Rama!Rroftë Ben Blushi! Ben Blushi,intelektuali i Korçës,do të ta haje kokën ty.”, me këto fjalë i është drejtuar 53-vjeçari kryeministrit Rama.
Pas kësaj Rama ka vijuar i qetë rrugën, por përfaqësuesit e gardës dhe policia e Korçës, e kanë marrë me forcë 53-vjeçarin dhe madje kanë ushtruar dhunë ndaj tij.
Dinko akuzon shefin e rendit të komisariatit të Korçës Mariglen Jacellari, se e ka dhunuar dhe goditur pa asnjë arsye legjitime.
Sipas rrëfimit të qytetarit, ai është mbajtur për gati 15 minuta në makinën e policisë dhe më pas është lënë i lirë. Pas kësaj ai është drejtuar spitalit të Korçës, ku i është nënshtruar disa kontrolleve mjeko-ligjore.
Dinko tregon se edhe në vitin 1996 ka qëlluar me vezë kryeministrin Aleksandër Meksi, por pavarësisht kësaj ai nuk është keqtrajtuar nga policia. (D.D/Shuplaka)