Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar sërish tubimin e mbështetësve të Erion Veliajt para GJKKO dhe SPAK, kur po zhvillohej seanca e fundit për kryebashkiakun.
Gjatë një komunikimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha e krahasoi situatën me skenat e viteve ’80 në Kolumbi.
“Së fundmi ndodhi ajo që nuk ka ndodhur kurrë në 32 vite. Një skenë që e kemi parë vetëm në Kolumbi në vitet ’80, kur gjykata u sulmua në një grusht të mirëfilltë shteti. Policia bashkiake dhe policitë civile rrethuan gjykatën dhe makinat e gjykatësve. U rikthyen skenat e viteve të Eskobarit, kur u vranë gjykatës dhe prokurorë, e shumë prej tyre u zhdukën pa nam e nishan”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, kjo situatë është një tregues i qartë i degradimit të shtetit dhe kapjes totale të drejtësisë nga pushteti. Berisha akuzoi qeverinë për transformimin e Shqipërisë në një “narkoshtet”, duke krahasuar zhvillimet aktuale me skenarët e serialit të njohur “Narcos”.
“Të gjitha këto janë dëshmi se rrokullisja e narkoshtetit po ndodh njëlloj si në ‘Narcos’. Këto janë episode pas episodi të një shteti të kapur nga krimi dhe korrupsioni”, tha Berisha.