Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e ka quajtur si luftë me mullinjtë e erës, mbështetjen që opozita po u jep banorëve të “Unazës së Re”, të cilët protestojnë kundër vendimit për prishjen e banesave dhe bizneseve të tyre, të prekura nga projekti i “Unazës së Madhe”, pa marrë 100% dëmshpërblim.
Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit ai tha:
“Është e pakuptimtë që opozita mungon për t’i dhënë votën marrëveshjeve me Gjermaninë. Beteja e radhës me mullinjtë e erës, të asaj ç’ka ka ngelur nga kjo opozitë është e turpshme që pas dështimit te parku, pas dështimeve të sheshi skënderbej, pas historisë pa kuptim të teatrit kombëtar tani kemi një betejë idioteske tjetër si kjo për të penguar ndërtimin e unazës.”
Më tej ai i ka bërë thirrje opozitës të lënë takimet në hotele e të rikthehen në Kuvend.
“Sot nuk kanë ndonjë takim në hotele ata, se e kanë pushim, sikurse e kanë marrë pushim prej javës. Detyra jonë është që të miratojmë këto marrëveshje. Javën e ardhme diskutohet në parim buxheti i shtetit dhe paketa fiskale për 2019. Apeli im si kreu i grupit parlament të shumicës në Kuvend është që të enjten e ardhshme opozita e ka për detyrim të paraqitet në seancën plenare. Nuk ndodh në asnjë vend të botës së qytetëruar që opozita të mos marrë pjesë në diskutimin për buxhetin e shtetit. Në pamundësi për të paraqitur një buxhet alternativ, sikurse duhet ta bënte çdo opozitë. Të paktën, opozita është e detyruar që të përfaqësojë atë përqindje të votuesve shqiptarë që i kanë dhënë besimin”, tha Balla.
(B.B/ Faxweb.al)