Nga Preç Zogaj*
Ka paqartësi në lidhje me ndalimin nga policia franceze të Ramush Haradinajt, kryetarit të AAKsë, një parti opozitare në Kosovë. Është ndaluar në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia dhe të pranuar nga Interpoli, që e ka futur në distributorin e saj, apo Interpoli nuk ka të bëjë fare dhe Haradinaj ka rënë në çarkun e një marrëveshjeje dypalëshe mes Serbisë dhe Francës? Ka marrë pafajësi në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për krimet e luftës në ishJugosllavi apo është liruar për mungesë provash? A informohen vendet e juridiksionit dhe vendet e tjera të interesuara për vendimet e kësaj gjykate? A bien automatikisht urdhërarrestet ndaj personave që çlirohen nga akuzat atje apo mbesin nëpër sirtarët e burokracisë kafkiane dhe hija e tyre vazhdon t’i ndjekë për inerci apo me ligësi të shfajësuarit edhe pasi ka folur drejtësia? A janë rrëzuar, a konsiderohen nul akuzat e Serbisë kundër Haradinajt pasi ky ka fituar lirinë në Hagë, apo Serbia vazhdon të qarkullojë me kryeneçësi të njëjtat akuza, si të mos ia ndiejë për togat e zeza të kontinentit dhe për ndryshimet që kanë ndodhur në rajon? Të gjitha këto pikëpyetje kanë zënë në befasi mendjelehtësinë dhe provincializmin e një pjese jo të vogël të faktorit politik shqiptar, që ka prodhuar këto ditë një kakofoni të vërtetë në lidhje me ndalimin e Ramush Haradinajt, ku solidariteti dhe kërkesat normale për lirimin e tij shoqërohen me gafa dhe faulle politike elementare.
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ai që për shkak të detyrës duhet të jetë më i matur se të tjerët, akuzonte dy ditë më parë në një intervistë në gazetën “Panorama” Francën, pa e përmendur me emër, por me një referim të qartë, se duke shpërfillur vendimet e drejtësisë ndërkombëtare, synon të destabilizojë Kosovës. Një deklaratë kaq kategorike për një vend mik, që ka një peshë specifike në vendimmarrjen për zgjerimin e BEsë, nuk mund të bëhet pa pasur në tryezë të gjitha provat dhe pa marrë miratimin e zyrtarëve të tjerë të lartë të shtetit. Dyshoj se zoti Bushati ka prova apo se ka marrë ndonjë miratim për deklaratën e tij. Besoj se është pushtuar nga një lloj histerie pseudopatroitike dhe as e ka menduar fare ku po i del tymi. Një ditë më pas, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, e përjashtoi Francën nga përgjegjësia, duke ia lënë fajin Serbisë dhe Interpolit që nuk e ka anuluar urdhërarrestin për Haradinajn. Kjo tingëllon më logjike dhe më realiste se shumë deklarata të tjera që riciklojnë si një sport kombëtar teoritë e konspiracionit, sikur po gatuhet një komplot ndërkombëtar kundër Shqipërisë, Kosovës, kombit shqiptar. Pohimet, sidomos kur janë bombastike, kanë nevojë të argumentohen, të faktohet, të mbështeten në një vijë logjikë, të reflektojnë standardet europiane të funksionimit të shtetit, mënyrën europiane të të menduarit. Përndryshe, në vend që të bëjnë punë, lenë nam, na tregojnë joseriozë, për të mos thënë qesharakë në sytë e botës. Logjika e shëndoshë dhe arsyetimi me parametrat e kulturës europiane janë fakultative në bisedat e kafeneve. Por janë të domosdoshme në prononcimet dhe në komunikimet e zyrtarëve që përfaqësojnë qeverinë, opozitën, shtetin.
ÇFARË THOTË LOGJIKA E THJESHTË PËR RASTIN HARADINAJ?
Thotë se i pari që duhet ta dijë me hollësi të vërtetën për fatin e urdhërarrestit të lëshuar ndaj tij pas çlirimit prej akuzave në Gjykatën e Hagës është vetë zoti Haradinaj. Statusi i tij ia ka mundësuar dhe ia mundëson këtë. Nëse për një arsye a tjetër vendimet e Hagës nuk i kanë shkuar apo nuk janë konsideruar prej Interpolit dhe vendeve të BEsë, avokatët e tij mund ta kishin bërë vetë këtë dhe mund të ishin investuar për një proces të natyrës përmbarimore që i vë kapakun përfundimtar çeshjtes së tij. Ibrahim Rugova thoshte se Europa na ka në hesap aq sa jemi, ndaj duhet të dimë të trokasim në kujtesën e saj me tri fjalë, jo më shumë se i humbin edhe ato të trija. Filozifia e tij: të dimë kush jemi, të mos e konsiderojme vetem qëndra e botës, të kërkojmë dhe të gjejmë atë që na takon. Ajo që dua të them, duke u kthyer të rasti i Haradinajt, është se pas kaq vitesh në të njëjtën histori atij nuk i shkon të befasojë duke përfunduar i ndaluar nga policia e një vendi europian. Në të kundërtën, nëse edhe pas Hagës mundësia e ndalimit të tij ka mbetur e hapur, ai duhej të ishte përballur, siç ka bërë kur shkoi vetë burrërisht në Hagë. Rasti të ndihmon një herë e dy, por jo përherë. Një politikan nuk mund ta zhvillojë aktivitetin e tij duke u mbyllur, duke u shmangur, duke lozur me qarin. Aq më pak, kur ka shumë kundërshtarë. Logjika na thotë gjithashtu se ndalimi i tij mund të ketë prapavijë, nxitje apo shtytje politike, por mund të jetë edhe një banalitet, një akt rutinë i veprimit të ligjit polici i turnit sheh në kompjuter se emri yt figuron në kërkim ndërkombëtar, lajmëron eprorin e tij dhe kështu merr jetë ndalimi që do të bëjë bujë.