Rreth dy javë më parë nisi puna për hapjen e tunelit nëntokësor për automjetet, në sheshin e ri të Durrësit, pagëzuar me emrin “Veliera”.
Dherat e nxjerra nga tabani i rrugës, por edhe nga shpimi me sondë, u depozituan pak metra më tutje, në bregdetin e “Vollgës”. Veprim për të cilin firma u gjobit dhjetorin e kaluar, pasi u cilësua si ndotje mjedisore.
Tuneli që kalon ngjitur me strukturat murale të bastionit osman dhe më vonë konakut të princ Vidit, hasi në mbetje arkeologjike. Nën monitorimin e arkeologëve, objektet prej qeramike u dërguan për studim në Muzeun Arkeologjik Durrës.
Tonelata me dhera të depozituara në kurriz të sipërfaqes ujore, janë kthyer në kantierin e dytë të punës për projektin “Veliera”. Eskavatorë shpërndajnë dhe sheshojnë dheun e saposjellë, e ngjitur me ta gërmojnë edhe persona të paautorizuar.
“Kam një javë që gërmoj këtu, për ndonjë qyp të vjetër ose hekur, sa për të nxjerrë 2-3 mijë lekë (të vjetra). Këtu vijnë 15 veta në ditë, grumbullojnë hekura, i bëjnë nga një kile dhe marrin një bukë”, tregon Ismaili, babai i dy fëmijëve.
“Nëse gjej një qyp, mund ta shes 20-30 mijë lekë (të vjetra). Ka plot persona e tregtarë që vijnë e pyesin përditë, nëse kemi gjetur gjë”, vazhdon shpjegimin 53 vjeçari, që një operacion në shtyllën kurrizore, ja ka hequr mundësinë e kryerjes së punëve të ndryshme.
Dheu i hedhur në det ditë më parë, është “përzënë” nga ky i fundit, duke ruajtur me fanatizëm në bregun e krijuar nga dora e njeriut për pak ditë, copëza qeramike. Në pirgjet me dhe dallon shumë copa qeramike të thyera. Edhe nëse ndonjë do kishte fatin të ishte e plotë, për “konservimin” e tyre si objekte pa vlerë, kujdesen dy eskavatorë, njëri në momentin që gërmohet e ngarkohet në sheshin ku po punohet dhe tjetri kur e sheshon dheun e sjellë për të mbushur detin.
Të kërkosh mbrojtjen e mjedisit është një luks i tepruar, kur sheh njerëz që lëvizin pas kamionëve dhe eskavatorëve, në një tokë shteti pa shtet, ku nuk ka asnjë rrethim, roje apo tabela informuese, e ku punohet ditë e natë.
Ismaili tregon se kanë gjetur kocka të madhësive të ndryshme, madje edhe të gjata sa trupi i njeriut, “Nuk i kuptoj për çfarë i duan xhanëm! Dikush erdhi dhe me tha që ta lajmëroja nëse gjeja ndonjë kafkë kafshe të vjetër”, tregon ai.
“Gjatë gërmimeve me eskavator për hapjen e tunelit nëntokësor, nuk është gjetur asnjë strukturë dhe nuk është identifikuar prani varresh. Dherat kishin përmbajtje të ndryshme, përfshirë edhe fragmente kockash, si njerëzore ashtu edhe kafshësh të ndryshme, por ne nuk mund të mbledhim fragmente të hedhura pa lidhje me njëra-tjetrën”, na sqarojnë arkeologët përgjegjës për gërmimet arkeologjike tek projekti “Veliera”.
Por prania apo jo e varreve është një çështje delikate, pasi zyrtarisht nuk figuron të jenë zbuluar të tillë. “Amfora.al”, disa ditë përpara se të lidhej kontrata e vonuar prej dy muajsh, midis bashkisë Durrës dhe institucioneve të kulturës, dokumentoi praninë e një “strukture” që sipas arkeologëve që prej vitesh e eksplorojnë nëntokën e Durrësit, kishim të bënim me një varr. Por tashmë kjo i përket vitit të kaluar, pasi ato dhera u hodhën në det, në po të njëjtën zonë.
Teksa Ismaili tregon se vetë nuk ka arritur të gjejë asnjë objekt të plotë, por vetëm fragmente, tregon se një djalë i ri në moshë, ditë më parë kishe treguar për shitjen e një “gjerdani”, për 130 mijë lekë (të vjetra).
Më me “fat” duket se janë ata që kërkojnë të mbledhin vetëm hekurishte. Që largu na afrohet një i moshuar. Përveç viteve mbi supe, mbante edhe hekurat e mbledhura nga thyerja e betonit që prej mëngjesit. Bashkëshorten e kishte të sëmurë dhe shpresa e vetme ishte fitimi i 2-3 mijë lekëve (të vjetra) nga shitja e hekurishteve.
Nisja e ndërtimeve disakatëshe rreth viteve 2000, ishte mallkimi i bregdetit të Durrësit. Ndër vite kryebashkiakët e qytetit dhe drejtuesit e institucioneve të kulturës, të para dhe pas vitit 2013-të, kanë bekuar me firmën e tyre këtë dalldisje urbanistike, që e mbushi bregdetin me gjithfarë zbulimesh arkeologjike.
Sigurinë se nuk do të përsëriten sërish të tilla skena, na e japin arkeologët përgjegjës për gërmimet, kur saktësojnë se në pjesën ku po punohet për hapjen e tunelit nëntokësor, ka disa gjetje të një shtrese hedhurinash dhe jo aktiviteti njerëzor.
“Kemi dërguar punëtorë herë pas here në vendin ku janë depozituar dherat, por ne nuk mund të kontrollojmë çdo gjë”, shtojnë ata. /amfora.al/