Imunologu Genc Sulçebe ka prezantuar dje rezultatet e një studimi të bërë nga Akademia e Shkencave, ku thuhej se rreth 50% e qytetarëve të Tiranës e kanë kaluar Covid 19 dhe kanë antitrupa.
Por për ekspertin e Shëndetit Publik, Erion Dasho ky studim nuk ka vlerë, dhe kjo lidhet me metodologjinë që është ndjekur nga ASH.
Ai thekson se nëse kampionimi i 800 personave të testuar nuk ka qënë rastësor, atëherë përfundimi se 50% e qytetarëve të Tiranës janë imunë ndaj COVID nuk ka vlerë. Nëse është ripërsëritur i njëjti përafrim si në muajin qershor kur u përzgjodhën pacientë dhe personel i qendrave shëndetësore, rezultati i shpallur dje është shumë larg prej së vërtetës.
Postimi i plotë i Dashos:
50%?! JO! PO SA??!! Para disa ditësh, në një status kritikova mendimin shkencor shqiptar gjatë epidemisë së COVID dhe propozova që për një periudhë 5-vjeçare çdo kërkim shkencor në shëndetësinë shqiptare duhet të bashkëdrejtohet nga një kërkues i huaj.
Kjo sepse në mjeksinë tonë prej vitesh ka humbur profesionalizmi. Është e vështirë të gjesh midis kërkuesve shqiptarë persona të aftë të hartojnë dhe zbatojnë rigorozisht një protokoll kërkimor. Herë për shkak të paditurisë dhe herë për shkak të konveniencës (në se zbaton një metodologji rigoroze nuk mund të manipulohen rezultatet e studimit).
Nuk mund të bënte përjashtim nga ky rregull studimi i djeshëm i akademisë së shkencave. Nga njëra anë raportohet një prevalencë 50% e imunizimit për COVID dhe, nga ana tjetër, nuk përshkruhet as metodologjia e kampionimit dhe as ajo e testimit.
Nëse kampionimi i 800 personave të testuar nuk ka qënë rastësor, atëherë përfundimi se 50% e qytetarëve të Tiranës janë imunë ndaj COVID nuk ka vlerë. Nëse është ripërsëritur i njëjti përafrim si në muajin qershor kur u përzgjodhën pacientë dhe personel i qendrave shëndetësore, rezultati i shpallur dje është shumë larg prej së vërtetës.
Epidemia e COVID po na jep shembuj të përditshëm se sistemi shëndetësor shqiptar ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme në të gjithë nivelet:
Politika dhe strategji
Organizim shëndetësor
Ofrim shërbimesh parandaluese, kuruese e rehabilituese
Edukim shëndetësor bazë dhe i vazhdueshëm
Kërkim shkencor modern
Në se nuk merren masa urgjente, strategjike dhe gjithëpërfshirëse, shëndetësia shqiptare do të vazhdojë të endet në të njëjtat hulli dhe do të vazhdojë të prodhojë atë që shohim sot: kujdes shëndetësor në nivel afrikan!
Le të shfrytëzojmë momentumin e krijuar gjatë pandemisë për të diskutuar se çfarë sistemi shëndetësor do t’u ofrohet shqiptarëve në shekullin e 21-të! Qytetarët e meritojnë këtë!!!