Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka reaguar sërish në lidhje koncesionin e rrugës Milot-Fier, të cilën e cilësoi një mega vjedhje korruptive.
Përmes një deklarate për mediat Vasili thekson se sipas vlerësimit të Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI) i bazuar në studimin e fleksibilitetit të kërkuar nga korniza e investimeve të Ballkanit perëndimor, vlera e rrugës ishte 780 milion euro dhe jo 120 miliard euro.
Më tej Vasili shton se bëhet fjalë për mbi 700 milionë euro vjedhje e prodhuar, e certifikuar dhe nga dokumentet e institucioneve Europiane.
Deklarata e plotë: Të nderuar qytetarë dhe qytetare!
Pikërisht në këtë moment shumë të vështirë për shkak të pasojave ekonomike katastrofike të prodhuara nga keqqeverisja e vendit dhe nga keq menaxhimi i pandemisë, shqiptarët u njohën dhe dëgjuan një mega vjedhje korruptive të paimagjinueshme më parë dhe që lidhet me rrugën Milot-Fier, një koncesion prej 1.2 miliard euro.
Disa fakte të reja tronditëse që demaskojnë më së miri oreksin e qeverisë për të grabitur e rrëmbyer paratë e njerëzve janë sot për tu bërë publike para jush. Praktikisht Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI) i bazuar në studimin e fleksibilitetit të kërkuar nga korniza e investimeve të Ballkanit perëndimor për këtë aks ka bërë publike që dhe në studimin e fleksibilitetit paraprak dhe që është pak kilometra dhe më shumë, vlerësimi paraprak i kësaj rruge ishte 780 milion euro.
780 milion euro të nderuar qytetarë do të thotë 420 milion euro më pak nga 1.2 miliard të qeverisë. Pra qeveria ka kërkuar një koncesion 54% më të shtrenjtë, pra 420 milion euro më shumë, sigurisht për t’i futur në xhepat e saj.
Situata rëndohet akoma dhe më tepër sepse dhe në këtë vlerë prej 780 milion euro të mbështetur nga Bashkimi Europian si projekt madhor në nuhatjen e projektit Adriatiko-Jonian për shkakun se një pjesë e projektit ka të bëjë me lidhje rajonale, pra vendet lidhen afër me njëri tjetrin e si të tilla BE mbështet të tilla projekte deri në 30% të kësaj shume që do të thotë afro 300 milion euro të tjera mund të kursehen pasi BE ofron grante, pra para që nuk duhen kthyer apo kredi shumë të buta e në totalin e saj nga 1.2 miliardë euro që qeveria do ta bëjë këtë rrugë, do të grabisë nëpërmjet koncesionit do të ishim në një rrugë që do të kushtonte afërsisht 150 apo 500 milion euro.
Do të thotë mbi 700 milion euro vjedhje e prodhuar, e certifikuar dhe nga dokumentet e institucioneve Europiane. Por çfarë thotë Edi Rama? Në vend që të pranojë këtë projekt që kushton shumë pak dhe kur ka mundësi që të kursejë dhe para të tjera duke përfituar nga Europa, thotë “Ne nuk mund të presim më”.
E kuptoni qytetarë që çdo të thotë Edi Rama në kohë pandemie mbas 2 tërmeteve me pasoja katastrofike e të gjitha së bashku në kuadrin e një ekonomie të rrënuar për shkak të korrupsionit nuk pret më dot në këtë kohë dhe thotë që do të shpenzojë 1.2 miliardë euro e do të rrëmbejë 700 milion euro e më shumë.
Pra ju e kuptoni që është një situatë tragjike në kuptimin më të thellë të fjalës. Do të thotë një rrënim dhjetëra vjeçar për shqiptarët, pra ky nuk pret dot më, nuk ka durim dhe ky durimi i mbaron pikërisht në kohë pandemie ku njerëzit nuk kanë bukë të hanë.
Po çfarë ka ndodhur me pandeminë, ky që do të rrëmbejë 700 milionë euro, të certifikuara siç e dëgjuat, jo nga dokumentet e opozitës, nga dokumentet e europianëve, ka dhënë gjithsej 100 milionë euro për të mbështetur me demek pagën e luftës. Se ky ishte njeriu që bëri luftën dhe fitimtarin, shikoni sesi e ka fituar luftën me pandeminë, i shikoni rastet vetë. Po të qëndrojmë te thelbi i gjësë.
Pra dhe vetëm 100 milionë euro për të mbështetur qytetarët, pra vetëm 100 mijë lekë të vjetra në muaj. 100 mijë lekë që ju e dini që për shkak të taksave, tatimeve, detyrimeve, pagesës së energjisë, pagesës së ujit, e gjithçka tjetër gati i gjithë ky 100 mijë leksh i vjetër, nuk shkonte dot as në tavolinën e qytetarit, për tu shndërruar në produktet më minimale bazë. Për të ngrënë pak bukë, djathë, vaj, fasule etj. Pra dhe ky 100 mijë leksh ishte zero ndihmë për qytetarin. Pra ky që nuk duron dot se nuk e mban vendi që ta bëjë sa më parë, është gati të shpërdorojë 700-800 milion euro më shumë dhe qytetarëve gjithsej t’u jepet ndihmë 100 milionë. Ju e kuptoni fare mirë se cilat janë mundësitë e shtetit, si i shpërdoron për të vjedhur dhe si nuk ua jep qytetareve.
750-800 milionë ju e kuptoni çdo të ndodhte me bizneset turistike. Pse qëndrojmë te bizneset turistike? Se janë mijëra biznese e mijëra njerëz të cilët me këto 2-3 muaj të verës arrijnë të mbajnë gjallë ato biznese, të akumulojnë pak të ardhura, me të cilat arrijnë të përballojnë vitin me një vështirësi shumë të madhe. Asnjë ndihmë për ta, lënë në mëshirë të fatit, e për shkak të menaxhimit mizerabël të pandemisë vazhdojnë të jenë të izoluara, vazhdojnë të mos kenë klientë, vazhdojmë të jemi të izoluar nga Europa por dhe nga vendet e Rajonit. Ju e kuptoni çdo të thotë, këto qindra miliona euro po të përdoreshin për pasojat e pandemisë.
Dhjetëra mijëra vende pune, fakt publik, të pranuara publikisht kanë humbur. Po pse të mos të ndihmonte mijëra e mijëra biznese që nga Tirana e deri në pikën më të largët që të përballonin momentin e pandemisë dhe këto vende pune të mos kumbisnin. Mijëra familje janë kthyer në familje të dëshpëruara pasi dhe ato pak ardhura që fitojnë me rrogën e vogël që ua japin këto biznese të vogla e të mesme nuk do ta marrin më dhe nuk e marrin më prej muajsh. Dhe familjet shqiptare ato pak kursime i shpenzoi e detyruar në kohët e në muajt e pandemisë për të mbijetuar dhe njëkohësisht humbasin dhe punën, se qeveria nuk mund të shpenzojë këtu, por thotë do të bëj një rrugë nga e cila vetëm 53 km janë rrugë e re, të tjerat janë rrugë e vjetër, por juve nuk do ju japë gjë.
Mijëra e mijëra fermerë që vetëpunësohen, nuk kanë nevojë për asgjë tjetër veçse për pak subvencion, ku me këto qindra milionë mund ta kthenin patjetër në bujqësinë më të zhvilluar të Ballkanit.
Nuk do doja ta përktheja në shërbim shëndetësor se jemi dhe në kohë pandemie ku 700 e ca milionë euro të nderuar qytetarë do ta shndërronin pa asnjë ekzagjerim, jashtë çdo demagogjie e propagande, shëndetësinë shqiptare në një nga shëndetësitë më të mira të rajonit. Ua them me kompetencë profesionale të plotë. Do të thoshte të kishim minimalisht 12 spitale të reja të nivelit më të mirë evropian. Pra ky zgjedh që në vend t’u japë përgjigje këtyre plagëve kritike, zgjedh të bëjë një rrugë ku centimetri i saj është më i shtrenjtë se floriri e t’u vërë një taksë shqiptarëve, ku u kushton më shumë taksa e rrugës sesa vetë karburanti për ta përshkruar këtë rrugë.
Pra kemi të bëjmë me një qeveri e cila në ikje vendos minat për hedhjen në erë të ekonomisë shqiptare në mënyrë përfundimtare për disa dekada. Në mënyrë absolute të gjitha këto vendime, qeverisja e ardhshme e opozitës, absolutisht që do t’i anulojë, do t’i refuzojë dhe njëherazi do të kërkojë fort pa asnjë kompromis një ndjekje penale ku autorët e tyre të bëheshin shembull të pluralizmit shqiptar për të sotmen e për të nesërmen që kushdo që do guxonte të bënte shaka me të mirat publike, me fondet publike të mendohej njëmijë herë dhe siç thotë populli “ti dridhej misht” kur ta ndërmerrte çdo hap të tillë. Megjithatë ne jemi këtu vigjilent bashkë me ju të nderuar qytetarë për të mos lejuar që këto vjedhje monstruoze të mos bëjnë asnjë hap përpara por të demaskohen e t’u çirret maska publikisht për të kuptuar një babëzi e cila nuk ka fre.