Nga Alfred Halilaj
Zgjedhjet me afrimin e tyre kanë gjallëruar natyrshëm fushatën për të qenë deputet në parlamentin e ardhshëm. Një normalitet në demokraci. Partitë politike janë në një proces të brendshëm për përzgjedhjen e këtyre kandidaturave, por ndryshimi i sistemit elektoral zhbëri përfundimisht edhe atë pak dinamizëm që prodhonte ‘lufta’ për të qenë kandidat. Sado që polarizonte klimën brenda partive, dhe në përfundim sërish ishin liderët politikë që vendosnin, ky ushtrim demokratik kaliste njerëz politikisht duke dhënë mundësinë e përballjes, shfaqjes së ideve apo dhe alternativave të ndryshme.
Por cfarë po ndodh aktualisht?
Mbi kushtet e ç’vlerësimit të sistemit, vihet edhe autoritarizmi i funksionarëve lokale të partive që shpesh kthehen në pashallarë të rëndomtë, duke drejtuar njësoj si kooperativat bujqësore partitë.
Dy janë tezat që qarkullojnë: a) përzgjedhja e kandidaturave nga baza e partive përmes procesit të propozimeve në strukturat partiake, dhe b) këto kandidatura jo domosdoshmërisht duhet të kenë lidhje me zonën, por mund të jenë figura të spikatura që vijnë prej vendimarrjes së organeve më të larta drejtuese të partisë dhe kyetarit të saj.
Qëndrimi im ka qenë dhe është për një sistem elektoral që përball qytetarin me politikanin, që llogaridhënia ndaj publikut të jetë kusht për qenien politike të kujtdo. Sa i përket mënyrës se si dikush mund të përfshihet në politikë, dhe për më tepër për të qenë në përfaqësimin më të lartë politik, të gjitha rrugët janë legjitime. Dy janë format kryesore, ose të ngjitesh nga shkallët, ose të hysh si gjyle nga lart. Rruga klasike, dhe që për mendimin tim e farkëton poltikanin, është ngjitja nga shkallët përmes anëtarësimit e më pas ndjekjes së hapave, konkurimeve, përballjeve, sfidave, ngjitjes së posterave, ecjes në këmbë, takimit me njerëzit, komunikimin me problematikat, e kështu në analizë të fundit ngjizet ndjesia për të shërbyer e për të mbajtur me përgjegjësi detyra publike që do të realizohen më përkushtim të lartë.
Por që rruga nga shkallët të funksionojë duhet që partitë të aplikojnë pa negocim demokracinë brenda vetes. Kështu njerëzit do të kenë mundësinë të konkurojnë lirshëm, e të shfaqin angazhimin dhe ambicien e tyre. Por aktualisht ndodhin procese interesante. Duke shfrytëzuar një linjë rëndësishme të ligjit për dekriminalizimit, shumë njerëz pretendojnë se duke pasur thjesht skedën kriminale të pastër mund të jenë kandidatë për përfaqësimin në parlament.
Por rruga nga shkallët nuk të jep rezultat nëse ti nuk ke ngjitur asnjë shkallë, dhe pretendon të mbërrish në krye. Nëse ti, dep(h)ut’eti pretendent nuk ke mbajtur kurrë një qëndrim, nuk ke folur kurrë për padrejtësitë, nuk ke shprehur kurrë një mendim, por ke hipotekuar vjedhjen, padrejtësinë, dhunën e pushtetit të kryetarit, ke prit nën hijen e tij se mos ai bie, ke ngju çdo pordhë të tij, ke ngranë kur të ka thanë, e ke flejt kur e ka zanë atë gjumi, ti pra nuk mund të jesh. Se pyejtja shtrohet: po ti kush je? Ja pra që ti je kërkushi sepse nuk ke kapacitetin me qenë dhe aq më tepër që ti je hija e kryetarucit lokal të partisë. E duke ndjerë që ti je impotent intelektualisht, përpiqesh me u prezantu tani me kostum e me kollare që të rrin shtrenjtë. Më shumë akoma ti që përdoresh për të përmbushur skema politike dritëshkrurtra që çojnë ujë në mullinjtë politikë ndërkrahinorë, asesi nuk mund të jesh.
Frika prej dekriminalizimit, e loja lokale për interesa meskine kinse për me forcu demokracinë përfaqësuese që vetë kryetarët lokalë e kanë vrarë por që kujtohen sa herë ju shërben, ka rrezik me na përfaqësu me injorantizmin pesanjoz të njerëzve që shkollimi universitarë ju ka zgjat me dekada. Injorantizmi nuk është argument për dekriminalizimin, aq më pak për përfaqësimin. Dikush mund të thotë se Martin Schulc kishte shkollim të mesëm dhe është në nivelet më të larta të qeverisë evropiane, por kujdes, në vendin e tij ka pasur shkallë, e kur ka mbrri në krye, natyrshëm ka mbrri si politikan profesionist. Unë mendoj se shkollimi ka shumë rëndësi për një shoqëri si e jona, që raportin me vlerat në këto vite tranzicioni i ka pasur reaksionare, për ta kthyer kah e mbara, kah perëndimi, duhet që pesanjozët, veglat dhe manekinat politike të përjashtohen nga këto gara që kërkojnë nivelin më të lartë njerëzor, intelektual, politik.
Kur unë kam folur për këtë mënyrë të përzgjedhjes së kandidatëve nuk jam mbështetur nga askush, përkundrazi jam luftuar pa mëshirë, prej kinse kandidatëve pa identitet, që po të kishin bërë të kundërtën, ndoshta(edhe pse dyshoj shumë!), sot mund të ishin potenciale për të qenë në parlamentin e ardhshëm.
Ndaj në këto kushte duhet me pranu se duhen edhe ca vite të tjera që përfaqwsimi politik, dhe karriera politike nga shkallët, për nivelet më të larta përfaqësuese sic është parlamenti, nëse ky proces zhvillohet me dinamikë të shpejtë, të mund të ndodhë.
Lista e kandidatëve që miratohet nga organet më të larta të partisë dhe nga kryetari i partisë, mbetet ( jo fatmirësisht!) mënyra e vetme e prodhimit të kësaj liste kandidatësh, ndoshta me ndonjë përjashtim shumë të vogël. Ndoshta është edhe alternativa më e mirë për momentin ku ndodhemi për të përjashtuar injorantizmin nga përfshirja, duke besuar më fort të filtrimi nga lart. Hyrja si gjyle është e pranueshme në politikë, por të paktën të jenë personalitete që e dinë se kush janë!