Sekretari i këshillit ndërfetar Genti Kruja ka folur me skype me TV Fax News ku ka treguar detaje rreth mbledhjes së djeshme të përfaqësuesve të 5 komuniteteve fetare në vend.
Kruja tha se religjionet fetare janë ndër të parat që kanë marrë masat ndaj parandalimit të përhapjes së pandemisë, ndërsa pohoi se dje janë shprehur alternativa të ndryshme për të mbështetur shtresat në nevojë në këto kohë të vështira.
“Ne kemi pasur një mbledhje ditën e djeshme me bordin e Këshillit Fetar në Shqipëri që përbëhet nga 5 komunitetet fetare në vend. Në mbledhjen me bordin ekzekutiv që përbëhet nga dy anëtarë për secilin komunitet dhe sekretari i përgjithshëm që jam unë. Ne kemi qenë ndër të parët që kemi reaguar ndaj COVID-19 dhe kemi marrë masa për mbylljen e një sërë institucionesh të kultit një rast unikal që nuk ka ndodhur ndonjëheë në gjithë botën. Kemi marrë nisma për ardhjen në ndihmë ndaj të varfërve. Të gjithë anëtarët e bordit kanë shprehur alternativa të ndryshme që të mbështesim shtresat në nevojë, të moshuarit, familjet e prekura nga tërmeti dhe ato me probleme ekonomike.
Mesazhet tona janë sensibiilizuese qoftë në aspektin e mjekëve dhe trupës shëndetësore që shërbejnë në vijën e parë, me forcat e rendit për të cilët komunitetet fetare kanë ofruar edhe asistencë më mjete mbrojtëse. Janë mesazhe optimizmi, shprese. Kjo situatë si çdo sprovë tjetër do të kalojë. Duhet të jemi vigjilent për aspektin psikologjik për familjet e izoluara. Mesazhi i bashkëpunimit dhe shpresës në këto ditë është zgjedhja më e mirë që mund të bëjmë.
Kjo situatë e pazakontë ku prej më shumë se 3 javësh njerëzit janë izoluar ka edhe pasoja psikologjike sidomos tek fëmijët, por qëndrimi i prindërve pranë tyre dhe këshillat e tyre dhe të qënurit pranë është pozitiv.
Roli i religjionit është të përçojë besimin tek Zoti, ta gjejmë atë në mënyrë që tejkalojmë këtë sfidë mbarëbotërore. Mesazhi shpirtëror është ajo çfarë kanë më shumë nevojë. Të lexojmë sa më shumë sepse aq më shumë të lexosh edhe më shumë zbulon sekretet e Zotit”, tha Kruja në një bisedë me gazetaren Xhilda Kondi.
(F.GJ/FAXWEB.AL)