Kryetari i Partisë Demokratike ka reaguar mbrëmjen e sotme pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku u zgjodh ekipi i ri që do të përballet me qeverinë Rama në Parlament dhe jo vetëm.
Basha shkruan në Facebook se ekipit të ri iu dha besimi për sfidën e vështirë, atë të rikthimit të demokracisë në vendin tonë.
Kreu i PD-së premtoi më tej se hapja e partisë ka për qëllim reformimin e brendshëm, duke shtuar se do të krijohet një Platformë Qytetare për Demokracinë, për zgjedhje të lira, për ndryshime kushtetuese që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor.
“E sotmja është një ditë e rëndësishme për Partinë Demokratike. Demokratet dhe demokratët i dhanë besimin Kryesisë dhe ekipit të ri për të çuar përpara një sfidë që nuk është thjesht partiake, por kombëtare, atë për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend. Hapja dhe bashkëpunimi i Partisë Demokratike me shoqërinë do të jenë në qendër të reformimit tonë të brendshëm dhe bashkë me shumicën e shqiptarëve që kërkojnë ndryshim, do të ndërtojmë një Platformë Qytetare për Demokracinë, për zgjedhje të lira, për ndryshime kushtetuese që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor. Vetëm kështu mund t’i japim fund kapjes së shtetit dhe sundimit të kësaj pakice të korruptuar e ta bëjmë Shqipërinë një vend të jetueshëm për familjet shqiptare”, shkruan Basha.
(E.H/Faxweb.al)