Pas përfundimit të mbledhjes së sekretarëve të rinj të partisë Socialiste, ka dhënë një prononcim për mediat, Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri.
Në fjalën e tij, Gjiknuri tha se kjo e sotmja ishte një mbledhje që organizohej për të vënë në punë strukturat e partisë Socialiste dhe për të testuar gatishmërinë e tyre.
Më tej Gjiknuri shtoi se mandati i tretë ishte një sfidë e madhe dhe se në fillim të vitit 2022, do të prezantohej edhe një statut i ri i Partisë Socialiste.
Ndërsa i pyetur në lidhje me pakënaqësitë që mund të ketë brenda partisë Socialiste, Gjiknuri tha se nuk kishte dëgjuar për diçka të tillë dhe shtoi se Taulant Balla tashmë kishte një tjetër detyrë të rëndësishme prandaj çështja nuk duhet të shihet në këtë aspekt.
Fjala e Plotë e Damian Gjiknurit, Sekretar i Përgjithshëm i partisë Socialiste
Në fakt kjo e sotmja ishte një mbledhje e parë, prezantuese. Një bashkëbisedim për vizionin e ri dhe për riorganizimin e punës ku së bashku me sekretarët e rinj do të organizohemi sërish. Do të strukturohemi për të përballuar sfidat e mandatit të tretë. Puna e PS do të jetë një garanci e fortë.
Partitë, natyrshëm që testimin e tyre e kanë kur vijnë zgjedhjet. Në dy vite ne kemi zgjedhjet vendore dhe ne do të testojmë strukturat tona. Fillimi i vitit, do të gjejë PS edhe me një statut të ri, pasi mandati i tretë është një sfidë dhe një përgjegjshmëri e madhe.
Si do t’i sheshoni pakënaqësitë?
Nuk e di pakënaqsinë, mund të jenë konstatime të ndryshme. Unë nuk kam dëgjuar pakënaqësi, por brenda një grupi parlamentar mund të ketë pakënaqësi për pritshmëri të ndryshme. Për këtë duhet të pyesni zotin Balla se ka një detyrë shumë të rëndësishme për të drejtuar Grupin Parlamentar të PS.
(B.V/Faxweb.al)