Ish-Kryeministri Sali Berisha nuk do të jetë pjesë e mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike që ka nisur ditën e sotme në orën 18:30, raportoi gazetarja e Fax News, Lusi Përgjegji.
Mbledhja do të drejtohet nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, ndërkohë pritet që në këtë takim të diskutohet strategjia që do të ketë PD në parlamentin e ri.
“Që prej orës 18:30 në Selinë blu ka nisur mbledhja e grupit parlamentar dhe drejtuesit politike të PD-së. Aty do të diskutohet mënyra si do të veprojë opozita në parlament. Pritet të ketë dhe një diskutim për ish-liderin Sali Berisha, i cili është shpallur non-grata, duke ngjallur kështu debate në selinë blu por edhe në të gjithë opinionin shqiptar, nëse duhet të jetë pjesë e Parlamentit apo jo. Ndërkohë Berisha ka deklaruar se do të jetë pjesë e parlamentit. Në mbledhje do të jetë vetëm z.Basha, ndërsa Berisha nuk do të jetë pjesë e mbledhjes”, raportoi gazetarja e Fax News nga Selia e PD-së, Lusi Përgjegji.
Rikujtojmë se një nga temat më të nxehta në PD aktualisht është situata e Sali Berishës, për të cilin ambasadorja Yuri Kim ka kërkuar të përjashtohet nga grupi PD-së, por ky i fundit ka vendosur të jetë pjesë e parlamentit dhe pjesë e grupit të PD-së.
(E.H/Faxweb.al)