Emirjana Sako në prag fushate mbledh me urgjencë Këshillin Bashkiak për fondet e tërmetit, 4 vite pasi la në çadra qytetarët e Durrësit. Ky ishte denoncimi i kreut të PD-së Dritan Burgija i cili në një deklaratë për shtyp tha se kjo lëvizje e vonuar e zonjës Sako, e cila i la në “mëshirën e fatit” qytetarët e Durrësit po përdoret si strategji elektorale 4 muaj para zgjedhjeve, gjë që është e ndaluar sipas Kodit Zgjedhor.
Deklarata e kryetarit të PD Durrës, Dritan Burgija:
Kanë kaluar 4 vjet nga tërmeti i Nëntorit 2019 por qytetarët e Durrësit vazhdojnë të jetojnë në çadra apo jashtë shtëpive të tyre.
Është e qartë për këdo që Shqipëria tanimë nuk është në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore të tërmetit, por qytetarët e prekur ndodhen në gjendjen e shkaktuar nga keqqeverisja dhe abuzimi me pushtetin dhe fondet publike.
Qytetarët e Durrësit vazhdojnë të përplasen dyerëve të bashkisë sepse u duhen përsëri për votimet e rradhës së kryebashkiakes.
Duke zvarritur procesin dhe fondet që i akordohen, kryebashkiakja e Durrësit pret zgjedhjet të miratoje grantet dhe listat e përfituesve duke zhvilluar mbledhje të Këshillit Bashkiak të thirrura jashtë rradhe në urgjencë, e duke shkelur Kodin Zgjedhor. Neni 91 paragrafi 4 ndalon shprehimisht ndarjen e fondeve publike në favor të zgjedhësve për një periudhe kohore prej 4 muaj para datës së zgjedhjeve.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e ka gjobitur dhe në zgjedhjet e kaluara Emirjana Sakon për shkelje te tilla.
Sigurisht që halli i Sakos është i madh dhe ndonëse është përsëritëse në shkelje, nuk ndalet të përdorë të njëjtat mënyra të cilat janë denoncuar nga PD, shoqëria civile dhe janë gdhendur në raportin e OSBE/ ODIHR.
Qytetarët janë të lodhur dhe mezi presin t’u normalizohet jeta.
Ata nuk do falin asnjë minutë të abuzimit të pushtetit me fatkeqesinë e tyre.
Kopjet e vogla të qeverisë së korrupsionit dhe skandaleve në 14 Maj do marrin përgjigjen e merituar.