Këtë të martë ka nisur mbledhja e Kolegjit Zgjedhor ku do të bëhet shqyrtimi i kërkesës së partisë Demokratike për përjashtimin e 7 gjyqtarëve që janë pjesë e trupës së kolegjit. Kjo mbledhje ka shkaktuar pakënaqësi tek përfaqësuesi i PD, Marash Logu i cili ka thënë se ky është një rast i veçantë në jurisprudencën botërore, duke qenë se anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, do të gjykonin vetveten.
“Me urgjencë të paparë, sot në 08:30, Kolegji Zgjedhor ka vendosur të shqyrtojë kërkesën e Partisë Demokratike për përjashtimin e 7 gjyqtarëve (nga tetë) për shkak të cënimit të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Shpresoj shumë që 7 gjyqtarët e Kolegjit nuk do t’i shkojnë deri në fund paligjshmërisë, duke gjykuar vetë mbi një kërkesë për përjashtimin e tyre (gjyqtarë të vetes). Ky do të ishte një akt unik në historinë e jurisprudencës botërore,”– shkruan Logu.