Akademiku Artan Fuga ka komentuar përsëri procesin e akrteditimit. Fuga ka shkruar për takimin që ekipi i akreditimit ka bërë në sallën e senatit të Universitetit të Tiranës dhe duke thënë se është ndjerë i fyer nga ky process.
Fuga ka kritikuar mungesën e transparencës gjatë procesit ta akreditimit. Sipas tij nuk ka patur asnjë dakordësi pasi askush nuk ua ka marrë pëlqimin mbi agjensinë e akreditimit, madje për të nuk është zhvilluar asnjë konkurs.
Fuga shkruan se nuk kishte marrë asnjë përgjigje kur kishte pyetur se kush e përzgjodhi agjencinë angleze.
“Nuk kisha marrë asnjë përgjigje se kush e përzgjodhi këtë agjenci angleze, që më thonë se është me reputacion të mirë. E mirë!
A u bë ndonjë konkurs ndërkombëtar?
Sa u pagua?
A e dinë rektorët e universiteteve shqiptare?
A u vol mendimi zyrtar i Konferencës së Rektorëve në mënyrë që “arbitri” të ishte i pranuar nga të gjitha palët?
Terr i plotë informative”, shkruan Fuga.
RAGIMI:
Mbresa poshtëruese nga procesi i akreditimit
—————————————–
Ekipi i akreditimit bëri edhe një takim në sallën e senatit të Universitetit të Tiranës. Kur dekania e Fakultetit Histori-Filologji më propozoi që të shkoja edhe unë atje, njëherë mendja më tha: E çfarë do të bëj? Duke qenë kaq kritik me ligjën për arsim të lartë nuk ka kuptim të debatoj për akreditimin. Por, ndjenja e detyrës më mundi. Vajta me shumë dëshirë, i përgatitur seriozisht dhe me dëshirën për të bashkëbiseduar dhe dhënë të gjitha informacionet dhe konsideratat që ekipi do të kërkonte.
Në sallën e senatit të rektoratit të Universitetit të Tiranës mbretëronte një atmosferë që e ndjeva shumë të ftohtë. Pashë nja tridhjetë kolegë të tjerë ulur atje, profesorë dhe profesoresha shumë të nderuara, me vite pune mbi supe e me vite kontribute në mendje.
Ekipi anglo-shqiptar ishte ulur përballë nesh në tavolina të ngjitura me njera tjetrën si biçim presidiumi, kurse ne, profesorët e universitetit, të zotët e shtepisë, ishim ulur si nxënës klasash kolektive në bangat tona përballë, njera pas tjetrës.
Kanë votuar këta për Brexitin ? – mendova. Kot pa lidhje.
Veç dy zotërinjve anglezë, një përkthyeseje që po lodhej fort, por që ishte besnike në një përkthim të mirë, ishin edhe dy bashkë-ekipas shqiptarë. Po këta ? -mendova.
Pa i paragjykuar personalisht, prania e tyre m’u duk e tepërt.
Kush i ka përzgjedhur dhe çfarë bëjnë këtu me ekipin e agjencisë angleze këta ekspertët shqiptarë? Përse kjo simbiozë pa kuptim?
Na thonë agjenci angleze, dhe pastaj del se brenda ka shqiptarë.
Ose agjencia shqiptare e akreditimit e bën vetë akreditimin dhe pra nuk ka përse harxhon lekët, sa frengu pulën, duke ftuar anglezët, ose ka gjykuar që do të jetë a të duket e paanshme dhe për pasojë përse bashkangjit edhe ekspertët e vet në ekipin e akreditimit?
Nuk kisha marrë asnjë përgjigje se kush e përzgjodhi këtë agjenci angleze, që më thonë se është me reputacion të mirë. E mirë!
A u bë ndonjë konkurs ndërkombëtar?
Sa u pagua?
A e dinë rektorët e universiteteve shqiptare?
A u vol mendimi zyrtar i Konferencës së Rektorëve në mënyrë që “arbitri” të ishte i pranuar nga të gjitha palët?
Terr i plotë informativ.
Po pse sillen kështu? – mendova.
Distanca mes nesh të ulurve në banga si nxënës dhe ekipit në presidium ishte e madhe. Askush nuk i prezantoi zotërinjtë se kush ishin. Kurse për emrat tanë, nga vinim, çfarë lëndësh jepnim, çfarë pozitash institucionale kishim, ekipi as kishte ndonjë interes të dinte.
Ne ishim të trajtuar si një turmë në kuptimin që i japin turmës shkencat e komunikimit.
Nuk e di se çfarë specialiteti kishin anëtarët shqiptarë të ekipit, por si menaxherë universitetesh ose si të specializuar a me diploma në këtë fushë nuk më tha kush se ishin.
Mbase janë!
Thash me vete, të mos i paragjykoj, ndonëse shija e keqe që më kanë lënë ata ekspertë që kanë akredituar pozitivisht universitete që më pas ministria i mbylli, më bënte mosbesues me të gjithë ekspertët. Cfaj kanë këta? – mendova, mbase nuk kanë qenë këta!
Po sikur të kenë qenë të njejtët?
Jo, nuk e besoj! – thosha me vete.
Zotërinjtë angleze na pyesnin nga larg me përkthimin e zonjës përkthyese. Diçka shënonin atje larg, Por, pyetjet ishin të përgjithshme, për të gjithë universitetin, jo për fakultete nga kishim ardhur.
Këta mendojnë se jannë në ndonjë universitet province – mendova. Ku di unë se çfarë bëhet te Shkencat e Natyrës. Apo te Gjuhët e Huaja apo te Shkencat Sociale, etj.?
Prandaj na konsideronin si turmë, sepse ne nisur nga përvoja në departamentet tona na duhej të jepnim opinione për të gjithë universitetin.
Ndjehesha i fyer. Empirizmi anglez ishte futur në ujë sepse na kërkonin gjëra me hamendje, jo të vëzhguara empirikisht. Dhe diçka shënonin atje në presidium.
Anglia është në Bashkimin Europian? – më erdhi një mendim. E lashë të ikte.
Pyetja e radhës më pasionoi. A dini gjë për studentët që mbarojnë studimet?
Duke ardhur nga departamenti Gazetarisë, dija që ishin mbrojtur dy doktoratura me temë personelin e mediave, dhe prandaj isha në dijeni të çështjes. Mora leje dhe u përgjigja se 80% e punonjësve të medias dhe të PR kanë dalë në vite nga ky departament, si edhe doktorë që sot janë pedagogë në departamente të Universiteteve të tjera.
Por, një nga ekspertët shqiptarë, u hodh nga vendi dhe më ndërpreu: “Te jemi serioz, ju jeni i vetmi departament që diplomoni në këtë fushë prej kohësh, të tjerët janë të sapokrijuar?”
Nuk isha unë serioz? Desha ta vendosja pak etikisht në rregull, por lëre thash! Mos i prish humorin!
Ishte agresive ajo ndërhyrje. Dukej që nuk donte të dëgjonte nga këto gjëra. Llampadari i sallës së rektoratit mu duk se më ra në kokë. Paska mbaruar gjithçka! – mendova.
Qetësisht i thashë se e kishte gabim. E para sepse kur akreditohet një universitet koha sesa ka në historinë e tij që diplomon nuk ka fare rëndësi. “Zotëri – i thashë si duket nuk e njihni historinë e universiteteve shqiptare, në Elbasan, Shkodër, në universitete private ka vite të tëra që diplomohen gazetarë ose punonjës komunikimi. Unë nuk flas për ta, por dijeni se nuk është e vërtetë ideja juaj e paragjykuar dhe e pasaktë.”
Po kush të dëgjonte!
Pas pak u pyet se përse nuk ka aq shumë financime për kërkimin shkencor?
Pasi folën profesorët e tjerë me argumenta të shëndoshë, doja të bëja një shtesë. “Zotërinj- iu drejtova – ne në departamentin e komunikim – gazetarisë, kemi disa vite rresht që financojmë kërkimin shkencor, mbi baza kontraktuale, mbështetur nga agjenci jashtëuniversitare për t’u kryer shërbim studimor. Kontratat, edhe me të huaj, i keni në Fakultet.”
Keni dokumente? – u hodh njeri nga shqiptarët.
“Posi, iu përgjigja qetë, kontrata, botimet, konferencat që kanë komunikuar rezultatet e kërkimit shkencor. Bëhet fjalë për disa projekte me mbështetje financiare.”
Sytë e anglezëve ishin dyshues, të shqiptarëve pa asnjë nuancë dëshire për të marrë atë informacion. Prita ditë e javë që të vinin të kërkonin kontratat e firmosura, materialet e përgatitura me qindra rekomandime për agjencitë financuese, me mbështetje shkencore ndërkombëtare, por askush nuk u kujtua.
Një anglez madje mori iniciativën të na fyente duke na thënë kolektivisht se mjaft gjëra që po thonim aty, një sondazh me studentë, nuk i verifikonte.
Sondazh?
Shiko, i thashë shqiptarit, unë nuk dyshoj që ka mijra probleme, që studentët kanë vërejtje, por kur flitet për sondazh, sondazhi ka rregulla.
Ku është bërë?
Ku është pyetësori?
Cilat janë pyetjet?
Kush e ka bërë, agjencia e akreditimiut apo ndonjë agjenci angleze sondazhesh?
Ku janë rezultatet? A është njohur Rektorati me rezultatet?
Asnjë përgjigje.
Unë kam sondazhet, nja tetë, që në departament kemi bërë me studentët. ua ve në dispozicion që të shihni edhe vërejtje të tjera që studentët bëjnë.
Thashë pas pak.
Pyeta më pas në Fakultet: A kanë ardhur t’i marrin?
Asnjë interesim.
Ata kush e di ku ishin në atë kohë!
U ktheva në Fakultet. Mbledhje. Në sytë e kolegëve të tjerë i thashë dekanes:
Gjërat janë mbyllur që më parë. Akreditimi nuk do të merret. Nuk gjeta dëshirë bashkëpunimi, por thjesht fodullëk, distancë, trajtim prej superiorësh, aspak i honepsur në kulturën universitare.
Unë po të isha, shtova, qysh sot, bëj ankimim për mënyrën e akreditimit, sepse nesër do të jetë vonë. Duhet bërë këtë çast!
E lava shpirtin tim, dhe i poshtëruar shkova në një restorant kinez dhe porosita patë pekineze të pjekur, neme në formë byreku të mbledhur rrotull, shoqëruar me oriz Shangai, dhe në fund, për ta nxjerrë gjithë deprimimin dhe trishtimin kërkova edhe një akullore të futur brenda një petulle të pjekur në furrë.
Një petull të madhe sa një kokë njeriu.
Kafen e ke nga lokali! – më tha kamarieri.
(B.H/Shuplaka)
Discussion about this post