Kryeministri Edi Rama sot paradite u shpreh se në ndryshim nga kreu i opozitës Lulzim Basha që e sheh politikën si damë, ai e sheh si një lojë shahu.
Por aktivisti Aulon Kalaja, njëkohësisht gazetar, pas përfundimit të negociatave mes Ramës dhe Bashës në selinë e Presidencës, ka zbuluar taktikat e kryeministrit në këtë lojë shahu, siç e quan Rama “betejën politike”.
Sipas aktivistit, mbreti në lojën e Ramës është Presidenti i zgjedhur Ilir Meta, ndërsa populli është ushtari. Kujtojmë se në lojën e shahut, i pari që sakrifikohet është pikërisht ushtari.
“Nese do te marim te mireqene, ate ç’ka tha Rama, se negociatat midis PD dhe PS jane si loje shahu, at’here:
Mbreti eshte Ilir Meta.
Mbreteresha eshte Monika Kryemadhi.
Oficeri eshte krimi dhe droga.
Torra eshte Vangjush Dako.
Kali eshte populli.
Ushtari eshte populli.
Dhe se shpejti “Shah-Mat”, ose “Dy here Mat”…”, shkruan Kalaja.
Rama sot u shpreh se politikën e shikonte si një lojë shahu: “Për mua politika është shah, nuk është damë. Sigurisht që dikush zgjedh ta luajë siç e sheh të arsyeshëm. Por nëse luan si damë duke përdorur metodën e pokerit, duhet të marrësh parasysh se me bllofin mund të fitosh shumë por mund të humbësh gjithçka.
Shahu ka strategji të tërë. Kur plani i zbulohet kundërshtarit, kundërshtari është mat’’, ishin fjalët e Ramës. (D.D/Shuplaka)