Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme përcaktimin e kushteve dhe të mënyrës për mbrojtjen e veçantë të punonjësit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të cilit i kërcënohet jeta, familja dhe prona për shkak të detyrës.
Sipas këtij vendimit, me mbrojtje të veçantë kuptohen masat me karakter organizativ e profesional për sigurimin dhe ruajtjen e veçantë të jetës, familjes dhe të pronës së punonjësit të kërcënuar të AMP-së, si dhe çdo masë tjetër, që lidhet me këtë mbrojtje.
Punonjësi i kërcënuar i AMP-së përfiton mbrojtje të veçantë nëse plotësohen kushtet e mëposhtme: prania e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e punonjësit të AMP-së; gjendja e punonjësit të AMP-së në një situatë që kërkon kryerjen e veprimeve apo marrjen e masave të menjëhershme për ta zgjidhur atë, si dhe për të shmangur çdo lloj dëmtimi të mundshëm.
Gjithashtu punonjësi merr mbrojtje të veçantë nëse prania e lidhjes shkakësore ndërmjet rrethanave serioze dhe rrezikut të dëmtimit me ushtrimin e ligjshëm të detyrës.
Mënyrat e mbrojtjes së veçantë konsistojnë në: ruajtjen apo shoqërimin fizik të punonjësit të AMP-së të rrezikuar; ruajtjen apo shoqërimin fizik të familjarëve të rrezikuar të punonjësit të AMP-së; ruajtjen e pronës së punonjësit të AMP-së të rrezikuar.
Mbrojtja e veçantë për punonjësin e kërcënuar të AMP-së bëhet me vendim të Komisionit për Vlerësimin e Kërcënimeve (KVK), i cili ngrihet dhe funksionon pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Kërkesa me shkrim për mbrojtje të veçantë të punonjësit të kërcënuar të AMP-së i paraqitet Komisionit për Vlerësimin e Kërcënimeve nga: punonjësi i AMP-së, që i kërcënohet jeta, familja dhe prona; struktura të AMP-së, që marrin dijeni për praninë e rrethanave serioze, të cilat i rrezikojnë jetën, familjen dhe pronën e punonjësit të AMP-së; çdo organ tjetër publik, që, për shkak të funksionit, merr dijeni për praninë e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen dhe pronën e punonjësit të AMP-së.
Komisioni për Vlerësimin e Kërcënimeve, brenda 10 ditëve nga paraqitja e kërkesës për mbrojtje të veçantë, vendos) pranimin e kërkesës, duke përcaktuar edhe masat konkrete të mbrojtjes ose mospranimin e kërkesës.
Në vendimin e Komisionit për Vlerësimin e Kërcënimeve për sigurimin e mbrojtjes së veçantë përcaktohen mënyrat e mbrojtjes dhe kohëzgjatja e saj.
Në rastet kur punonjësi i kërcënuar i AMP-së ushtron detyrën larg vendbanimit dhe familjes së tij, masat urgjente mbrojtëse merren sipas nevojës për të dhe për familjen, në funksion të mbrojtjes e në varësi të intensitetit që ka kërcënimi.
Në rastin e një rreziku serioz dhe të çastit, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore urdhëron strukturat përkatëse në AMP të marrin masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë e jetës, familjes dhe pronës së punonjësit të kërcënuar të AMP-së. KVK-ja, brenda 10 (dhjetë) ditëve, vlerëson masat e marra nga strukturat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe vendos për vazhdimin ose jo të tyre.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.