Prokuroria e Tiranës ka dërguar në Kuvend shkresën për Ervin Salianjin, i cili u dënua nga Apeli me një vit burg për kallëzim të rremë. Me dërgimin e kësaj shkresë në Kuvend, pritet të nisin edhe procedurat për ndërprerjen e mandatit të deputetit.
Institucioni i Kuvendit pritet të konstatojë faktin dhe të interpretojë Kushtetutën, duke sjellë më pas edhe ndërprerjen e mandatit të deputetit.
Kuvendi më tej njofton Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për vakancën e krijuar.
BARDHI KERKON MBLEDHJEN E KESHILLIT TE MANDATEVE
Me herët Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, i është drejtuar me një shkresë kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, ku i kërkon mbledhje urgjente të Këshillit të Mandateve dhe Rregullores.
Në shkresën që mban firmën e Gazment Bardhit, thuhet se vendimi i Gjykatës së Apelit për Ervin Salianjin ishte një akt hakmarrës, duke urdhëruar burgosjen e një deputeti.
Sipas Bardhit, ‘në një procedurë ekstra ligjore, pa autorizim të Kuvendit, me një nxitim të pa shpjegueshëm, Prokuroria po ndjek procedurën për arrestimin e deputetit të opozitës’.
Teksa citon nenin 73, Bardhi thotë se “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në cfarëdo llojë forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa AUTORIZIMIN e Kuvendit”
DENIMI
Vendimi qe e denon Salianjin me 1 vit burg u shpall dje (26 shtator) nga trupi gjykues me relatore Elona Toro dhe anëtarë Iliba Bezati dhe Genti Shala.
Pas shpalljes së vendimit, Salianji e denoncoi procesin si të montuar nga fillimi në fund dhe e quajti veten një të dënuar politik.
“Jam i dënuari i parë politik në këto 34 vite pluralizëm. Ky është dënim politik, njësoj si agjitacioni dhe propaganda dikur,” tha Salianji. “Unë nuk kam bërë një betejë për të vjedhur dhe për të vrarë, por kam bërë një betejë kundër trafikantëve të drogës,” deklaroi ai, duke shtuar se është i disponueshëm që ta kryejë dënimin në çdo lloj burgu.