Policia njofton se janë mbyllur rreth 650 biznese, lokale të mbyllura, me muzikë live, disko dhe pube, në kuadër të masave parandaluese kundër përhapjes së koronavirusit në vendin tonë.
Në zbatim të masave për moslejimin e grumbullimeve masive në ambiente të hapura apo të mbyllura, me qëllim parandalimin e përhapjes së coronavirusit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka dërguar një telegram të gjitha Drejtorive Vendore të Policisë në Qarqe, për mbylljen e menjëhershme të lokaleve të natës, pubeve, diskove, palestrave e lokaleve ku ka grumbullimeve masive.
Në zbatim të këtij telegrami, prej mbrëmjes së djeshme, mbi 215 Patrulla të Përgjithshme të Policisë u angazhuan për zbatimin e këtyre masave.
Në të gjithë vendin, u mbyllën gjatë mbrëmjes së djeshme 522 lokale dhe bare, 29 palestra, 65 bilardo, 21 disko e pube dhe 18 lokale me muzike live.
Strukturat e Policisë së Shtetit do të bashkëpunojnë me Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor, Institutin e Shëndetit Publik, Njësitë e Qeverisjes Vendore, Prefektët e Qarqeve dhe institucionet e tjera shtetërore që i ngarkon ligji.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e pronarëve të lokaleve që të zbatojnë pa asnjë hezitim urdhrat e përcjella nga punonjësit e Policisë dhe të mos i kundërshtojnë ato, pasi moszbatimi i tyre do shoqërohet me penalitete ligjore.
Discussion about this post