Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet ndaj Emiljano Shullazit dhe 4 të pandehurve të tjerë; Blerim Shullazi, Endrit Qyqja, Gilmand Dani dhe Endrit Zela dhe ka dërguar dosjen në Gjykatë ku pritet të jepet masa e sigurisë për secilin prej tyre.
Emiljano Shullazi dhe miqtë e tij akuzohen për “shtrëngim për dhënien e pasurisë” ndaj biznesmenit Ulvi Beqja.
Beqja mban statusin e të penduarit të drejtësisë.
Gjykata për Krime të Rënda ka dëgjuar një pjesë të rrëfimit të Ylvi Beqjas, biznesmenit që mban statusin e të penduarit të drejtësisë, në çështjen kundër Emiljano Shullazit dhe katër të dyshuarve të tjerë.
Trupa gjykuese nuk mundi të vërë përballë dy ish-miqtë, pasi këtë të premte Emiljano Shullazi, i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, çka nuk e mundësonte pjesëmarrjen e tij në proces.
Nga ana tjetër, në kafazin e hekurt, nuk kishin mbërritur as të dyshuarit e tjerë, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi.
Pak minuta pas nisjes së seancës dy avokatët e zgjedhur nga vetë të pandehurit u larguan nga salla e gjyqit, duke argumentuar se nuk mund të bënin mbrojtje pa qenë prezent vetë ata, raporton BW.
E ndodhur përballë faktit që seancat gjyqësore janë shtyrë radhazi vetëm për shkak të të dyshuarve dhe avokatëve, e duke e konsideruar sjelljen e tyre si pengesë në bërjen e drejtësisë, gjykata vendosi të caktojë një avokate ‘kryesisht’, e cila pranoi të mbronte interesat e të dyshuarve si pjesëtarë të një grupit kriminal me tendenca në fushën e gjobëvënies. Në praninë e avokates kryesisht, nën masa të rrepta sigurie, gjykata nisi dëgjimin e dëshmisë së Ylvi Beqjas.
“Kam patur problem me një proces gjyqësor në Apel, që lidhej me ish-hotel Vollgën. Avokati im më tha se këtë çështje mund të ma zgjidhte Emiljano Shullazi. E kam takuar dhe me të ramë dakord, që nëse me zgjidhte problemin në fjalë, do të merrte 20 për qind”, ka deklaruar Beqja.
Më tej, ai i tha gjykatës se problemet me Shullazin nisën kur ai ishte vënë në dijeni se ishte kryer shitja e një pjese të pronës dhe filloi të më kërkojë shuma të mëdha parash, të cilat Beqja kujton se ia ka dhënë në formën e çeqeve Gilmando Danit dhe nipave të tij.
Në këto momente avokatja kryesisht ka vendosur të largohet, duke u bërë shkak për shtyrjen e seancës për të hënën e ardhshme.
Kërkesa për marrjen e dëshmisë së të penduarit, që konsiderohet dhe si prova kyçe në proces, u bë nga prokuroria me arsyetimin për të shmangur rrezikun që i kanoset jetës së Ylvi Beqjas, jo vetëm nga personat kundër të cilëve ka dëshmuar, por edhe persona të tretë me interes të drejtpërdrejtë në pronësinë e ish-hotel Vollgës në Durrës.
Prokuroria gjithashtu i druhet faktit se Beqja mund të bëhet objekt i ndikimeve ose presioneve, ndaj ka rrezik të madh që dëshmia e tij të shtrembërohet apo të ndryshojë. (M.D/ Shuplaka)