“Shaj” e kënduar nga Arilena Ara është shpallur kënga fituese e Festivalit të 58 të Këngës në RTSH, këngë e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në muajin maj në Eurovision.
Vendi i dytë është rrëmbyer nga Elvana Gjata me këngën “Me tana” ndërsa surpriza e festivalit ishte 16-vjeçarja Sara e cila ka fituar vendin e tretë me këngën “Ajër”.
Arilena ka folur mes emocionesh pas marrjes së trofeut teksa ka falenderuar bashkëpunëtorët, organizatorët e festivalit, familjen etj, ndërsa na rrëfeu se kjo është kënga e parë që i ka dedikuar vetes.
“Nuk e kisha menduar asnjëherë këtë moment. Nuk bëj muzikë për të fituar çmime, bëj muzikë se i kam dedikuar jetën muzikës që 14-vjeçe. Të gjitha këngët i kam kënduar për të tjerët, por kësaj here shkruam një këngë për veten time, me këtë këngë kam qarë, kam qeshur, jam ndjerë në ankth. Jam e emocionuar se sot kam mamin tim në sallë, janë të gjithë miqtë e mi…”, tha këngëtarja.