Ka përfunduar protesta e opozitës kundër qeverisë e cila filloi në orën 11:00 ku u kërkua dorëheqja e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Kreu i PD-së Basha tërhoqi protestuesit nga Ministria e Brendshme ku situata ishte përshkallëzuar në dhunë dhe protestuesit kërkonin të çanin kordonin e sigurisë.
Basha nga selia e PD-së falenderoi qytetarët për pjesëmarrjen duke deklaruar se beteja do të vazhdojë deri në fitore.
Nga ana tjetër Basha theksoi se disa prej policëve e kishin mbajtur mirë rendin dhe sigurinë duke zbatuar ligjin, por paralajmëroi se një pakicë prej tyre kishin shkelur ligjin duke dhunuar protestuesit, ku veçoi kryeredaktorin e gazetës ‘Rilindja Demokratike’ Bledi Kasmi, i cili u përgjak gjatë tubimit.
Basha u shpreh se menjëherë ai do të nisej për në spital për të vizituar të plagosurit, duke theksuar se autorët e dhunës nuk do të shpëtojnë.
Protesta e opozitës zgjati 2 orë ku u shoqërua me disa incidente. (B.H/Faxweb)