Vazhdon ditën e tretë protesta e banorëve në fshatin Grizë të Patosit të cilët kundërshtojnë mbylljen e shkollës, ndërsa ata shprehen se e kanë të pamundur të dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë tjetër.
Prindërit dhe fëmijët janë kundër vendimit të Bashkisë e cila ka vendosur mbylljen e këtij institucioni për shkak se kjo godinë ka dëmtime fizike.
Gjithashtu ditën e sotme banorët kanë ndaluar autobusin që mbërriti për t’i marrë fëmijët që të shkojnë në një shkollë tjetër në Patos. Prindërit e fëmijëve gjatë protestës kërkojnë që të ballafaqohen me kryetaren e Bashkisë Rajmonda Balili e cila në reagimin e djeshëm tha se kjo shpërngulje e fëmijëve do të jetë e përkohshme.
“Kur ishin votimet pse nuk e mbylli shkollën Rajmonda. Ku ta çoj unë 5 vjeç fëmijën i vetëm me autobus. Të vijnë të rregullojnë shkollën Rajmonda pastaj të fusim nxënësit brenda. Gjërat duhet të zgjidhen në këtë shkollë”, tha një prind.
“Unë këtu sjell nipin tim. Me shkollën e patosit kam vuajtur me fëmijët e mi, me një autobus 30 vendesh futeshin 50-60 nxënës. Kalas e parë ka më pak orë mësimi, klasat më të larta vonohen më shumë ku do rrinë këta fëmijë që të presin dy orë deri sa t’i sjellë autobusi. Mësuesit janë shumë të mirë, fëmijët janë në punë, kush do ta çojë fëmijën time në Patos, pasi fugoni nuk vjen fare. Shkolla do thjesht një lyerje, fëmijët ne i kemi pa punë”, tha një banore.
“Do vazhdojmë protestën deri sa të na dalë shpirti. Fëmijët nuk ikin dot vetëm, kryetarja të vijë këtu dhe të na japë shpjegim. Ne nuk jemi dakord ta çojmë fëmijën në Patos. Pse nuk vjen Rajmonda është frikacake, ta na ballafaqohet me ne”, u shpreh një tjetër banore.
(O.M/Faxweb.al)