Deputetja Ina Zhupa ka reaguar ashpër ndaj vendimit për mbylljen e TikTok-ut në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një akt antikushtetues dhe një formë censure politike. Ajo akuzon kryeministrin Edi Rama se po tenton të shuajë zërat kritikë dhe pakënaqësitë qytetare përmes kufizimit të lirisë së fjalës në rrjetet sociale.
“Rrjetet sociale janë një medium lirie dhe fjale, që nuk mund të hiqen me një urdhër politik të një kryeministri në ikje, i panikosur nga liria e qytetarëve,” shkruan Zhupa në një reagim publik.
Sipas saj, TikTok-u është platforma më pak e kontrollueshme nga propaganda qeveritare dhe përdoret kryesisht nga të rinjtë për të shprehur mendimet e tyre të lira. Ajo e quan këtë vendim një përpjekje për të fshehur dështimet dhe zemërimin ndaj qeverisë.
Në përfundim, Zhupa bën thirrje për protestë më 15 mars në Sheshin Skënderbej, duke kërkuar mbrojtjen e lirisë së fjalës si një themel i pandryshueshëm i demokracisë:
“Rinia nuk e pranon censurën! Nuk e pranon mbylljen e gojës!”