Duke iu referuar ngërçit politik në vend analisti Mentor Nazarko në një analizë të tij në Konica.al shkruan se mbrëmjen e djeshme Rama iu afrua zgjidhjes së qeverisë teknike të pjesshme me zëvendësimin e 4 ministrave me emra teknikë të propozuar nga PD, duke shtyrë dhe zgjedhjet madje, por Basha vendosi të trimërohej akoma, përpara mikut të vet McAllister, i cili nuk është ndierë i lumtur nga shfaqja me siguri.
Sipas Nazarkos ky ishte dështimi shqiptar, por nuk ishte një shfaqje e denjë për një lojtar kaq të madh si Mc Allister, që sipas tij konkurron për postet më të rëndësishme të Gjermanisë. Nazarko shton më tej se negociatori McAllisteri nuk do t’ia harrojë mikut të vet Bashë, për këtë surprizë të hidhur.
Mentor Nazakro më tej jep edhe tre skenarët sesi mund të zgjidhet ngërçi politik në vend dhe si mund të hyjë PD në zgjedhje.
SHKRIMI I PLOTË:
Sot, ata që hodhën bast për llojin e kompromisit që do të arrihet (nëse arrihet), dështuan.
Palët zgjodhën lojën e pushtetit mbi njerëzit : Rama iu afrua zgjidhjes së qeverisë teknike të pjesshme me zëvendësim të 4 ministrave me emra teknikë të propozuar nga PD, duke shtyrë dhe zgjedhjet madje, por Basha vendosi të trimërohej akoma, përpara mikut të vet McAllister, i cili nuk është ndierë i lumtur nga shfaqja me siguri. Dështimi shqiptar nuk ishte një shfaqje e denjë për një lojtar kaq të madh si ai, që konkurron për postet më të rëndësishme të Gjermanisë. Dhe ai me siguri nuk do t’ia harrojë mikut të vet Basha këtë surprizë të hidhur.
Nga sa filtrohet prej informatave publike dhe jopublike ngjan se u luajt me komente për emra të përveçëm, përfshi dhe të Kryeministrit. Me gjasë, Basha i kujtuar vonë për protagonizëm politik kësisoj, në rrethana të tjera do të ndihej relativisht mirë me çfarë arriti, por zgjedhjet janë te dera, të shtyra, apo në afatin normal. Dhe hendeku në sondazhe, me një parti të papërgatitur, të sabotuar nga të vjetrit që mezi presin që ai të gabojë, është i madh.
Loja për emra megjithatë, nxori negociatat jashtë disa proceseve shumë të rëndë sishme, të cilat kërkojnë zgjidhje kushtetuese e ligjore, brenda të cilave mund të gjendej dhe kompromisi. Sapo u konsiderua i djegur raundi i tretë i zgjedhjes së Presidentit.
A mund të përdorej ky moment te negociatat që u zhvilluan me zëvendëspresidentin e Partive Popullore Europiane McAllister? Po, sepse njëjtë si dhe protesta e djeshme (me frikën e destabilizimit), ai ofronte mundësi për një zgjidhje të pranueshme.
Sepse zgjedhja e Presidentit është pjesë e krizës, por dhe pjesë e zgjidhjes apo e kompromisit. Dhe ka ende tre skenarë.
3 SKENARËT PËR ZGJIDHJEN E KRIZËS
Skenari i parë është kushtetues, por jo demokratik nëse doni, pavarësisht motiveve të çadrës së opozitës: zhvillimi i zgjedhjeve sipas datës së shpallur nga Presidenti më 18 qershor.
Skenari i dytë është zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme, të provokuara nga moszgjedhja e Presidentit në 5 raundet. Edhe ky është skenar kushtetues, por që të ndihmojë kompromisin, do duhej që fizarmonika të hapej maksimalisht: raundet të fillonin më vonë, të zhvilloheshin me distancë kohore maksimale 7-ditore, dhe pastaj kur 5 raundet të digjeshin, pas shpërndarjes së Parlamentit, brenda 45 ditëve të kishte zgjedhje të reja. Por që ky skenar të shërbente për kompromis, domethënë pro shtyrjes së zgjedhjeve, do duhej që ato të koincidonin me një datë pas 18 qershorit, mundësisht në shtator, kur do të preferonte opozita. Në këtë rast ajo do të kishte ngushëllimin e shtyrjes së zgjedhjeve, që do të krijonte më shumë kohë për korrigjime dhe garanci shtesë për to.
Skenari i tretë është ai i shtyrjes së zgjedhjeve, me amendamente rishikuese të afateve në Kod, apo dhe në Kushtetutë. Ky do të ishte më problematik dhe më qesharak, sepse do të zhvleftësonte letrën e Kushtetutës, e cila sapo u prek me rastin e Reformës në Drejtësi.
Në dritën e tre skenarëve dhe zhvillimeve praktike të dy ditëve të fundit, janë disa konsiderata që mund të bëhen. Pavarësisht djegies së raundit të parë të negociatave me ndërkombëtarë në mes.
AMENDAMENTET E 2008-S E KANË DOBËSUAR SHUMË INSTITUCIONIN E PRESIDENTIT
Konsiderata e parë lidhet me amendamentet e vitit 2008. Janë amendamente që e kanë shkatërruar solemnitetin e zgjedhjes së Presidentit, të një institucioni të rëndësishëm në hierarkinë tonë shtetërore. E kanë zbehur atë nga forca, nevoja për konsensualitet që përmendte Kushtetuta e vitit 1998 dhe për pasojë, këto amendamente e kanë bërë zgjedhjen e Presidentit një moment thjesht rutinor në jetën e republikës sot. Së pari, sepse si ndodhi është parashikuar që raundet të digjen teatralisht edhe pa u paraqitur asnjë kandidat, jo vetëm 3 të parët (ku kërkohet një shumicë prej tre të pestave), por edhe 2 të tjerët. Është bërë ky ndryshim në amendament në shenjë të eliminimit të krizës që mund ta krijojë një pakicë bllokuese në Parlament, e cila mund të mos dojë të përfshihet në zgjedhjet e Presidentit, por ajo çfarë rezulton është rrëzim i autoritetit të Presidentit.
- Së dyti, me amendamentet e vitit 2008 ka një moment tjetër që është në këtë shenjë të zvogëlimit, zbehjes së solemnitetit, konsensualitetit, që duhet të karakterizojë zgjedhjet e Presidentit dhe për pasojë kemi dobësim të autoritetit të tij. Kemi shpërndarjen e Parlamentit pas 5 votimeve, në të cilat nuk arrihet në fillim shumica 3/5, pastaj shumica absolute e numrit të deputetëve. Pas zgjedhjeve të reja, Parlamenti pasardhës do të duhet që ta votojë Presidentin me shumicën absolute të deputetëve. Pra, edhe këtu kemi zbehje të asaj që do të duhet të ishte dhe që është në të vërtetë e gjithë thelbi i Kushtetutës, republikës parlamentare, konsensusi maksimal që duhet të gëzojë figura e presidentit dhe procese të rëndësishme në vend.
Nëse Presidenti do të ishte produkt i një shumice të fortë, nëse ai do të kishte autoritet, nuk do të ishte nevoja të vinin negociatorë nga jashtë, por krizën do ta zgjidhte ai. Do të tregonim më shumë pjekuri se Maqedonia, e cila kërkoi negociatorë perëndimorë.
MASHTRIMI I SHUMICËS QEVERISËSE ME DJEGIEN E RAUNDEVE PRESIDENCIALE
Me këtë germë të Kushtetutës të zhbërë, në gjendjen e sotme, dje kishim jetësimin e një përpjekjeje të shumicës në fuqi, përkatë- sisht LSI-së dhe PS-së, me skenarin e djegies me shpejtësi të raundeve, pa kandidatë, pa votim, pa konkurrencë, pa negociata. Për ta dobësuar akoma më shumë këtë moment solemn konsensual në jetën politike, institucionale. Praktikisht janë djegur 3 raunde të zgjedhjes së Presidentit pa paraqitur asnjë kandidat. E gjitha kjo është një mashtrim i shumicës sepse shumica thotë se është duke pritur opozitën për të paraqitur kandidatët e saj dhe për t’u përfshirë në proces. Nëse do të ishte kështu, do të duhet që sipas vlerave të Kushtetutës, raundet të zhvilloheshin në distancën kohore sa më të gjatë të mundshme, që është faktikisht 7-ditore. Kështu do të hapeshin mundësi për skenarin e dytë. Nëse do të veprohej kështu, atëherë praktikisht do të kishim më shumë kohë në dispozicion për negociata, që ky proces, zgjedhja e Presidentit, të ishte sa më përmbajtësor, të ishte sa më shumë konkurrencial. Të sillte negociata në Parlament, më shumë mirëkuptim mes palëve politike. Skenarin e dytë e nënvizonte me shumë elegancë kolegu Genc Burimi në një shkrim në “Panorama”, sipas të cilit, pikërisht te zgjedhja e Presidentit, te djegia e 5 raundeve, por me hapësirë më të gjerë të mundshme kohore krijohet një skenar të zgjidhjes së krizës politike në të cilën ka hyrë vendi.
Pra, ja se si diskutimi nga plani i protestës në rrugë, në të cilën nuk zgjidhet asgjë, thjesht dhe vetëm shkarkohet frustrimi i problemeve që u janë krijuar qytetarëve të ndryshëm nga padrejtësitë e kësaj qeverie, kalon te një terren real. Ky është terreni politik, terreni kushtetues në të cilin praktikisht edhe miqtë ndërkombëtarë janë duke u thënë palëve politike në Shqipëri për të zgjidhur krizën. Por ato e kanë mendjen tek emrat e përveçëm.
SKENARI OPTIMAL PËR ZGJIDHJEN E KRIZËS-SHTYRJA E ZGJEDHJEVE, NËPËRMJET DËSHTIMIT TË RAUNDEVE
Cili është ky skenar për të cilin fliste Burimi? Në qoftë se fizarmonika do të hapej, pra 5 raundet pa kandidatë do të zhvilloheshin në hapësirë 7-ditore nga një njëri-tjetri, atëherë do të shkonim me djegien e këtyre raundeve. Pra, me djegien brenda 35 ditëve (skenari optimal) apo sa ditëve kanë ngelur për dy raunde, do të kishim një skenar të shpërndarjes së Parlamentit pasi ai të tregonte pafuqinë e tij për të zgjedhur Presidentin. Sipas këtij skenari të parashikuar nga Kushtetuta, Parlamenti duhet të shpërndahet dhe brenda 45 ditëve do të zhvilloheshin zgjedhjet e reja. Po kur shpërndahet Parlamenti ? Në qoftë se:
- a) dy raundet do të digjet me këtë shpejtë- si si u dogjën 3 raundet e para, atëherë data e thirrjes së zgjedhjeve të reja të parakohshme përputhet pak a shumë me atë datë që është zgjedhur nga Presidenti, që është 18 qershor. E ngjan se shumica po ndjek këtë plan.
- b) fizarmonika do të hapej me raunde më të vonuar (maksimumi 7 ditë nga njëri-tjetri) dhe nëse Parlamenti do të shpërndahej joautomatikisht (pas dy javëve për shembull nga dështimi i raundit të pestë) pas 45 ditëve do të zhvilloheshin zgjedhje të reja. Kështu, data reale e zgjedhjeve do t’i largohej 18 qershorit. Në qoftë se do të duhet të pajtojmë pozicionet e qeverisë për t’iu përmbajtur Kushtetutës, me pozicionin e opozitës, sipas të cilit zgjedhjet do të ishin mirë të zhvilloheshin diku në vjeshtë, atëherë ky skenar i tillë është i mundshëm për t’u realizuar.
gatshme për të arritur një skenar të tillë? A do duhet të futet me të vërtetë një zgjidhje si kjo brenda valixhes diplomatike të dy të dërguarve ndërkombëtarë në një raund të dytë nëse do të ketë? Me këtë skenar, opozita do të kishte shtyrjen e zgjedhjeve, dhe një qeveri politike (që ngjan si teknike), me Parlament të shpërndarë. Kjo së bashku me garanci shtesë për zgjedhje të lira, mund të ishte kompromis i mirë për opozitën.
Një gjë është e sigurt: djegia e shpejtë e raundeve të zgjedhjes për Presidentin nuk është një rrugë që i shërben zgjidhjes së krizës. Dhe skenari i tretë është shumë i vështirë dhe precedent i rrezikshëm jo thjesht për Shqipërinë, por dhe për Ballkanin. Rama, jo thjesht prej precedentit, vështirë se largohet, me gjithë garancitë se do t’ i fitonte zgjedhjet duke dalë me Metën sërish. Nuk largohet, se i binte të pranonte se Basha kishte të drejtë me akuzat në emër të tij…
(J.V/Shuplaka)