Ditën e djeshme në një intervistë për median gjermane “Die Ëelt”, kryeministri Edi Rama nuk ngurroi të thoshte se mbi 600 kilogramët e kokainës në Durrës “u kapën në bashkëpunim me autoritetet italiane”.
Kjo përgjigje e kryeministrit është e çuditshme sepse ai ka mbajtur një tjetër qëndrim qysh prej ditës ku ngarkesa e drogës u kap në magazinën e bananeve të kompanisë “Arbri Garden” në Maminas të Durrësit.
Përkundër “gabimit” fillestar të ministrit Xhafaj i cili deklaroi se droga u kap në bashkëpunim me agjensitë e huaja, deklaratë të cilën e korrektoi pasditen e po të njëjtës ditë, ndërsa ai, Edi Rama, në të gjitha daljet publike, kryesisht nga foltorja e Kuvendit ka mbrojtur qasjen që kokaina kolumbiane u kap vetëm nga Policia e Shtetit.
Por kjo histori e çuditshme deklaratash që rrokullisen e zëvendësojnë njëra-tjetrën nuk merr fund me kaq. Vetëm pak minuta më parë, vetë kryeministri Rama në një postim në Facebook, ka përgënjeshtruar “përkthimet nga gjermanishtja” të intervistës së tij për “Die Ëelt”, pasi sipas tij qëndrimi është i pandryshueshëm: Kokainën e kapi vetëm dhe vetëm Policia e Shtetit Shqiptar!.
“Nisur nga intervista ime për “Die Ëelt”(s’e kam idenë nëse saktësisht a jo, se nuk e kam lexuar versionin gjermanisht)qenka bërë lajm shqip se paskam ndryshuar qëndrim! E pavërtetë! Sepse e vërteta është vetëm një: 613kg kokainë janë kapur pa asnjë bashkëpunim ndërkombëtar! Kaq.” – shkruan Rama.
(E.L/Faxweb)