Një polic grek, Marios Gogolos 35 vjeç është arrestuar nga efektivët e policisë së Sarandës pasi i është gjetur një armë teksa po përpiqej të shkonte drejt Bularatit për të qenë i pranishëm në ceremoninë e të 40-ave të Kostantinos Katsifas. “M. G, 35 vjeç, banues në Gumenicë, Greqi (me detyrë punonjës policie në Igumenicë, Greqi). Arrestimi i tij u bë pasi më datë 08.12.2018, rreth orës 09.45, në aksin rrugor “Sarandë-Gjirokastër”, në vendin e quajtur “Ura e Kranesë”, ky shtetas duke udhëtuar në drejtim të fshatit Bularat, Gjirokastër është kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë me një armë zjarri pa leje, e tipit “pistoletë” me 6 fishekë”, thuhet në komunikatën zyrtare të policisë.
Bëhet e ditur se shtetasi grek i ndaluar ishte nën shoqërinë e një deputeti grek Nikolas Nikola, i cili gjithashtu do të merrte pjesë në këtë ceremoni përkujtimore të Katsifasit, i vrarë në Bularat me 31 tetor gjatë një përplasjeje me armë zjarri me forcat shqiptare të RENEA-s. Mësohet se bashkë me efektivin e policisë është shoqëruar dhe deputeti grek dhe pas sqarimeve rutinë është lënë i lirë.
Njoftimi i plotë:
Policia arreston në flagrancë një shtetas grek me detyrë punonjës policie.
Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri e tipit “pistoletë” me 6 fishekë.
Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– M. G, 35 vjeç, banues në Gumenicë, Greqi (me detyrë punonjës policie në Igumenicë, Greqi).
Arrestimi i tij u bë pasi më datë 08.12.2018, rreth orës 09.45, në aksin rrugor “Sarandë-Gjirokastër”, në vendin e quajtur “Ura e Kranesë”, ky shtetas duke udhëtuar në drejtim të fshatit Bularat, Gjirokastër është kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë me një armë zjarri pa leje, e tipit “pistoletë” me 6 fishekë.
Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë Sarandë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.