Çifti i njohur në botën e medias Rudina Xhunga dhe Dritan Hila ishin të ftuar pasditen e sotme tek “Rudina”. Ndër të tjera ata rrëfyen se historia e tyre e dashurisë ka nisur pikërisht në një studio televizive.
“Asistentja i kishte thënë që ftoje njëherë këtë Dritan Hilën se po e heqin nga puna. Mbase e ndihmon. Rudina e dinte se isha ndonjë burrë 60 vjeç. Dhe më ftoi. Kur më takoi herën e parë, më tha: Ti qenke Dritani? Se unë dukem si i shkurtër nga televizori, edhe policët kur më shikojnë në rrugë thonë: Pse ti je ai që del në televizor? Pastaj më ftoi edhe njëherë, për herë të dytë, pastaj më ftoi për herë të tretë dhe aty më vjen turp ta them, i propozova një libër për të lexuar. Madje ia çova në televizion. Pastaj minimumi që do bënte Rudina ishte të pinte një kafe me mua. Filluam të shoqëroheshim derisa i propozova. Ishte një erë e fuqishme, ishim poshtë shtëpisë së saj dhe pasi i propozova më tha: Jam pak si dhi e egër unë, kështu që do mendohem”,- tregoi Hila.
Ndërkohë Xhunga tregoi takimin e parë me nënën dhe motrën e bashkëshortit të saj.
“Kur Dritani kishte ditëlindjen shkuam tek shtëpia e tij dhe takova për herë të parë mamanë dhe motrën e tij. Kur më prezantoi me ta tha: Rudina është vajza me të cilën dua të jetoj.
Në Gusht ishte takimi me familjen dhe më 14 Tetor ne u martuam. Bëmë thjeshtë një celebrim në bashki dhe mua më pëlqente ta kisha fustanin e bardhë”, tha Rudina.
(M.Q/Faxweb)