Si antar i Akademisë të Shkencave jam njohur me një letër të hapur të prof. dr. Aleksandër Dhimës drejtuar Akademisë të Shkencave, si edhe me përgjigjen që Akademia, pa firmë, si gjithmonë, i drejton profesorit të nderuar, njerit prej pak antropologëve të nderuar që ka vendi.
Për ata që nuk e dinë historinë, me pak fjalë, prof. dr. Aleksandër Dhima kandidoi për një vend akademiku që u hap në fushën e antropologjisë dhe nuk fitoi. Ai pretendoi me të drejtë se fusha e antropologjisë është e përcaktuar dhe askush tjetër, pa i hyrë në hise kurkujt dhe pa fyer kërkënd, që nuk ka punuar në këtë fushë, nuk mund të shpallet fitues.
Akademia e Shkencave ku edhe unë jam antar i ka kthyer sot një përgjigje të trishtuar, zhgënjyese, madje të çoroditur shkencërisht prof. Aleksandër Dhimës.
Për të justifikuar zgjedhjen e dikujt tjetër që ka merita për t’u bërë akademik sigurisht por në fushën që ka livruar dhe jo në antropologji, përgjigja pa firmë e akademisë bazohet te argumenti se antropologjia është shumë e gjerë dhe brenda saj hyjnë gjasme edhe “antropologjia metafizike” dhe “antropologjia shpirtrore”, pra hyjnë të gjitha.
Cfarë përgjigje e trishtët dhe e turpshme për një Akademi ku edhe unë gjendem antar!
Megjithë përpjekjet e mia dhe të kolegut antropolog Albert Doja, për të përcaktuar normat dhe kriteret për ta përkufizuar fushën e antropolgjisë përpara konkursit, askush nuk dëgjon nga ai vesh në kryesinë e Akademisë.
Përgjigja e sotme për rrjedhojë kapërcen cdo imagjinatë.
E para, në cilat vendime paraprake dhe lajmërime paraprake për konkurim është folur për “antropologji metafizike” dhe “antropologji shpirtrore” si zgjerim i fushës së antropologjisë? Ngushtësia ose zgjerimi i fushës bëhet para konkurimit dhe jo pas tij.
E dyta, kush është specialist në Akademinë e Shkencave veç kolegut Albert Doja pêr të dhënë sqarime rreth shtrirjes të fushës të antropologjisë. A u konsultua ai? Aspak ndonëse u kërkua kjo gjë!
Së treti, lidhur me letrën e prof. dr. Aleksandër Dhimës, për t’i dhënë përgjigje asaj, a u pyet dhe a u konsultua seksioni i shkencave shoqërore, apo u dha një përgjigje nga të gjithëditur që nuk marrin vesh as nga shkencat shoqërore bashkëkohore e as nga antropologjia?
Së katërti, unë me antropologji nuk merrem, por me metafizikë e kam për detyrë të merrem.
Termi i shpifur “antropologji metafizike” është thjesht një “gomarllik shkencor”, një “absurditet i turpshëm”, pra një “batakçillëk shkencor”, dhe mbi të askush as punon e as ka punuar në Shqipëri.
Askush nga kandidatët.
Si duken në Akademi nuk e dinë fare se çfarë është metafizika. Unë jam gati të ve bast për këtë!
Ndërsa “antropologjia spiritualiste” zhvillohet kryesisht në kolegje fetare dhe komunitete besimtarësh, dhe askush, po ashtu, nga shkenca e sotme te ne nuk merret me të.
Mua më vjen turp për këtë përgjigje që jep Akademia që e turpëron përgjigjedhënësin dhe jo asamblenë e Akademisë, ku me dhjetra shkencëtarë vuajnë politizimin, drejtimin autoritar dhe pa vizion që u imponohet sot.
Kjo përgjigje sikurse edhe bëma të tjera janë prova e kësaj.
Përgjigja më e mirë e Akademisë do të ishte të anullonte këtë konkurs alogjik dhe të mos krijonte shqetësime as për fituesit e as për humbësit,
Unë deklaroj publikisht se moralisht, në planin personal as e njoh atë konkurs dhe as i pranoj si të vlefshme rezultatet e tij. Pa rrënuar aspak respektin për punimet e kandidatit fitues.
Me këtë rast, unë individualisht si antar i Akademisë, i përulem me titull personal dhe i kërkoj ndjesë, i lutem të më fali, prof. dr. Aleksandër Dhimës për padrejtësinë dhe fyerjet që i janë bërë atij, por si solidar me shqetësimet e tij, që më janë bërë edhe mua!