Deputetja Rudina Hajdari ka komentuar në Kuvend, shkarkimin e të ëmës së saj nga Vetingu, vendim i cili u mor mëngjesin e sotëm në KPK. Hajdari tha se ajo ka besuar dhe beson te Reforma në Drejtësi, qoftë edhe me vendimin që ka prekur direkt familjen e saj.
Deputetja u shpreh se me vendimin për Fatmira Hajdarin marrin fund dhe polemikat, se ajo qendroi në Kuvend dhe nuk e dogji mandatin vetëm e vetëm për të shpëtuar të ëmën e saj nga shkarkimi orej Vetingut.
Hajdari në Kuvend: Dita e sotme ka filluar me një lajm për familjen time, dhe shumë njerëz jashtë kësaj salle më janë hedhur si ujqër, se unë ndenja në këtë sallë për të mbrojtur time më. Unë besoj te Reforma në Drejtësi, dhe nëse e them këtë për time më, e them për çdo gjykatës dhe prokuror tjetër, dhe do ti shkoj kësaj deri në fund.
Pas vendimit të KPK-së për shkarkimin e saj nga detyra, Fatmira Hajdari vendosi që të mos bënte asnjë koment për gazetarët e shumtë që ishin në ambientet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ajo u shfaq padyshim e tènsionuar, teksa sheh që të marrë fund karriera e saj në sistemin e drejtësisë, pas 20 viteve që ishte pjesë e tij.
Ndërkohë që avokati i saj Maks Haxhia u shpreh shkurtimisht se vendimi do të apelohet dhe se të gjtiha pasuritë e Hajdarit janë të ligjshme, dhe të argumentuara dhe në seancën dëgjimore.
”Vendimi ishte i padrejtë, sigurisht që do ta apelojmë atë. Këta nuk po pyesin për ligj xhanëm se Kushtetuta e ka, aneksi i Kushtetutës deri në dyfishin e pasurisë por këta nuk e kanë respektuar asnjëherë. Këta kanë listat dhe po pastrojnë”, u shpreh Haxhia në dalje të KPK-së.
Hajdari u përball të hënën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me një sërë pyetjesh mbi transaksionet me prona, me ndërtimin e një pallati 10 katësh pa leje dhe një bilanc negativ që shkon më shumë se 52 milion lekë, sipas analizës financiare për të ardhurat dhe shpenzimet të bërë nga Komisioni. (E.K/Faxweb.al)