SPAK ka mbyll hetimet ndaj Mervin Mersinit, inspektor pranë Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor dhe ka dërguar çështjen në ngarkim të tij në gjykatë.
Mersini akuzohet se ka ushtruar presion pranë një subjekti tregtar në qytetin e Tiranës, duke pretenduar se nuk kishte liçensimin e duhur për vijimin e aktivitetit, dhe se gjoba në këto raste shkonte deri në 1.000.000 Lekë, si dhe me mbylljen e biznesit deri në likuidimin e kësaj mase administrative.
Më tej, Mersini i ka thënë administratorit të subjektit tregtar se “një problem i tillë” mund të zgjidhej kundrejt përfitimit të parregullt, vetëm pas marrjes prej tij të gjysmës së shumës së gjobës që vihet në raste të tilla, e më konkretisht të shumës prej 500.000 Lekë, por me kusht që një pjesë e kësaj shume monetare duhej të paguhej brenda 24 orëve, ose në të kundërt do vijohej me procedurat administrative të aplikimit të gjobës dhe mbylljes së aktivitetit deri në likujdimin e masës administrative.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë përfunduar hetimet dhe dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, procedimin penal Nr.126/2023, në ngarkim të të pandehurit:
Marvin Mersini, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se, më datë 24.05.2023, Prokuroria e Posaçme është informuar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që i pandehuri Marvin Mersini duke qenë me detyrën e Inspektorit pranë Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, duke mos qenë i planizuar që të vente për kontroll tek subjekte të ndryshëm tregtarë, ka vajtur dhe ka ushtruar presion pranë një subjekti tregëtar në qytetin e Tiranës, duke pretenduar se nuk kishte liçensimin e duhur për vijimin e aktivitetit, dhe se gjoba në këto raste shkonte deri në 1.000.000 (një milion) lekë, si dhe me mbylljen e biznesit deri në likuidimin e kësaj mase administrative. Më tej, i pandehuri i ka thënë administratorit të subjektit tregtar se “një problem i tillë” mund të zgjidhej kundrejt përfitimit të parregullt, vetëm pas marrjes prej tij të gjysmës së shumës së gjobës që vihet në raste të tilla, e më konkretisht të shumës prej 500.000 (pesëqind mijë) lekë, por me kusht që një pjesë e kësaj shume monetare duhej të paguhej brenda 24 orëve, ose në të kundërt do vijohej me procedurat administrative të aplikimit të gjobës dhe mbylljes së aktivitetit deri në likujdimin e masës administrative.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për interesa të këtij procedimi penal, më datë 25.05.2023, është finalizuar arrestimi në flagrancë i të pandehurit Marvin Mersini, me detyrë Inspektor pranë Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, të cilit në mjetin me të cilin po udhëtonte, ju sekuestrua dhe shuma monetare prej 200.000 (dyqind mijë) lekësh, e përftuar prej tij në mënyrë të paligjshme.