Banorët e Dukatit të Vlorës duhet të jenë këtë pasdite me sytë nga qielli, në pritje të një shiu që nuk është parashikuar nga meterologët, e ndoshta shumëkush prej tyre beson ende te një mrekulli.
Teksa shohin zjarrin t’iu afrohet gjithnjë e më shumë banesave të tyre, dhe dëgjojnë në televizor ministrin Niko Peleshi, e pas tij dhe kreun e emergjencave civile Haki Çako, se në zonë sot do të hedhin ujë nga ajri tre helikopterë, familjarët e shumë të tjerë që shohin skenën, pyesin se pse nuk ndjejnë zhurmën e tyre.
Në ndryshim nga dje, ku të paktën një helikopter u shfaq në Karaburun për të shuar flakët, sot asnjë mjet i Ministrisë së Mbrojtjes nuk ka qenë në zonë për të shuar zjarrin që po përparon gjithnjë e më shumë si pasojë e erës së madhe që fryn në zonë.
Siç shihet dhe nga pamjet e mëposhtme, të vetmit që ndodhen realisht në terren janë punonjësit e forcave të Armatosura, të cilët me kazma dhe lopata në duar, po tentojnë me çdo kusht që të ndalin përparimin e flakëve, që tashmë nuk po kursejnë asgjë.
Në mesin e kësaj situate apokaliptike, u shfaq sot në Dukat dhe Çako i Emergjencave civile, i cili dje u ”shpall në kërkim” nga kreu i Kontrollit të Lartë të shtetit, pasi në kulmin e kësaj emergjence mjedisore, kishte marrë disa ditë pushimi për një event familjat.
Çako udhëzon: Me lopata, kasma, sëpata e motorsharra të ndalim flakët!
Zjarri që përpin prej të paktën 10 ditësh Karaburunin, sot po kërcënon gjithnjë e më shumë banorët e fshatit Dukat, ndërkohë që flakët janë më pak se 2 kilometra larg parkut kombëtar të LLogarasë, ku në rast se do të hynte zjarri, vështirë se do të fikej, pa një shi nga qielli.
Ndërkohë po në Vlorë është duke u djegur pylli i Poros, ndërsa një vatër është evidentuar dhe pranë Kalasë së Himarës, në të njëjtin qark. Reagimi i vonë i strukturave, që siç tha dhe vetë ministri Peleshi, zjarri nuk iu ishte dukur edhe aq serioz, ka bërë që qindra hektarë me pyje të shkrumbohen, ndërsa pasojat do ti ndjejmë ndoshta duke nisur që prej vitit të ardhshëm.
(E.K/Faxweb.al)