Këto muaj ndodhem në Shqipëri dhe një mikja ime, më tha: “Pse nuk e shkruan historinë tënde? Do të të ndihmoj unë për ta botuar”. Dhe, kështu po bëj… Duke jua treguar edhe juve gjithë këtë histori më duket sikur më lehtësoni dhimbjen, sikur po bisedoj me një shoqe që më kupton, edhe pse nuk njihemi.
Jam një vajzë që kam lindur në Tiranë. Prindërit e mi, në vitet ’97, emigruan në Angli si kosovarë, ashtu siç bënin edhe shumë shqiptarë të tjerë në atë kohë. Unë atëhere isha vetëm pesë vjeçe dhe u rrita e u edukova në një mentalitet tjetër, ndryshe nga këtu. Shoqet e mia kishin liri të plotë për të jetuar jetën, ndërsa prindërit e mi më mbanin të mbyllur vetëm shkollë dhe shtëpi. Përveç kësaj, kisha edhe një vëlla pesë vjet më të madh se veten, i cili më pengonte ta bëja jetën ashtu si doja.
Për vëllanë tim, prindërit nuk kishin pretendime, thjesht i bindte fakti se ai ishte djalë, ndërsa vajza duhet të ishte më e qëndrueshme. Vëllai, qëkur ishte 15 vjeç, gjeti të dashur dhe e sillte në shtëpi, por prindërit, edhe pse nuk ua kishte qejfi, mendonin “më mirë të ketë një, sesa të shkojë lule më lule”.
Në fakt, kështu ishte, vëllai është edhe sot me atë vajzë, edhe pse kanë kaluar shumë vite që janë njohur, ndërsa unë duhet të isha vajza e bindur e familjes që të ruaja nderin dhe lezetin, siç i takon një vajze nga Shqipëria. Të gjitha këto këshilla që m’i përsëriste mamaja ime, më bënin të mendoja se po rritesha në fshatrat e malësisë dhe jo në Angli.
E gjithë shoqëria ime habitej me mua që isha aq e mënjanuar; vetëm një djalë arrinte të më kuptonte dhe më rrinte gjithmonë pranë. Ai quhej Henri. Me shumë mirësjellje, ai më fliste dhe më këshillonte që të bëja durim derisa të mbushja 18 vjeçe dhe më pas nuk do t’ia kisha më nevojën askujt sepse të drejtat e mia në atë vend mbroheshin me ligj. Fjalët e tij sikur më lehtësonin dhe më bënin të fortë që të duroja derisa të arrija moshën madhore.
Me Henrin fillova të kisha një komunikim të rregullt thjesht si shok, bisedonim në telefon, në Facebook, në e-mail, ku të na jepej mundësia. Ditë pas dite, ne kishim filluar të ndjenim për njëri-tjetrin, por këtë ndjenjë nuk guxonte asnjë ta shprehte. Henri ishte një djalë me ngjyrë dhe ky fakt ishte një lloj pengese.
Në Angli, këto gjëra nuk viheshin re dhe shumë shoqe të miat ishin lidhur me djem me ngjyrë, por ngaqë i kisha folur për zakonet dhe mentalitetin e familjes sime, ai ngurronte të m’i shprehte ndjenjat e tij. Edhe pse e doja Henrin, nuk guxoja t’ia thoja, pasi familja ime ishte e prerë në mënyre kategorike që nuk do ta lidhja jetën time me një të huaj e jo më me një djalë me ngjyrë.
Kështu, i kisha lënë gjërat të rridhnin vetë. Në mbarim të shkollës, ne duhet të zgjidhnim degën për në fakultet dhe unë fitova për Psikologji, ndërsa Henri fitoi për Informatikë. Të dy do të ishim në të njëjtin qytet, dy orë jashtë Londrës. Unë ndjehesha tejet e gëzuar sepse më në fund do të kisha lirinë që aq shumë e kisha ëndërruar. Jetoja në një shtëpi me disa shoqe, por kishim secila dhomën më vete dhe kështu, filloi jeta ime atje. Duke qenë se nuk njihja njeri tjetër, fillova të dilja më shpesh me Henrin. Miqësia jonë ishte bërë aq e ngushtë sa unë nuk e vija re faktin që ai ishte me ngjyrë. Ai, një ditë, më ftoi në shtëpinë e tij për kafe.
Në fillim ngurrova, por dëshira për të qëndruar vetëm me të ishte shumë më e fortë nga këshillat që më kishin dhënë prindërit e mi.
Teksa ishim në shtëpinë e tij, ai m’u ul shumë afër dhe më pyeti: “Të bezdis ngjyra ime?”. Ai ishte momenti më i keq i jetës sime; nuk dija ç’përgjigje t’i ktheja dhe më mirë preferova ta puthja… E kisha ëndërruar shumë këtë moment dhe ajo puthje ishte, si të thuash, përgjigjja e pyetjes së tij.
Atë ditë nuk më binin fare ndërmend as prindërit, as vëllai dhe as mentaliteti i tyre. Henrin e doja shumë. Me të më dukej sikur përjetoja një histori dashurie si nëpër filma, ku dashuria ishte primare dhe nuk pyeste as për moshë, as për ngjyrë, as për ndonjë sakatllëk. Kështu ishte edhe dashuria jonë.
Henri asnjëherë nuk kishte hequr dorë prej meje, edhe pse unë nuk i isha përgjigjur atij. Edhe pse shokët i thoshin: “Deri kur do ta presësh atë femër?!”, edhe pse i thoshin “Ka femra plot”, ai prapë nuk ishte dorëzuar. Atëherë s’më ngelej gjë tjetër veçse që edhe unë të bëhesha e tija në të gjitha mënyrat. Mendoja se një ditë prindërit e mi do ta kuptonin situatën time. Pastaj, ata u bënë shumë vite në Angli dhe normale që duhet të ecnin me kohën.
Ajo mbrëmje ishte e bukur… Për herë të parë, kuptova se çfarë ishte dashuria e vërtetë dhe për herë të parë u bëra grua me njeriun që doja më shumë në këtë jetë. Kishin kaluar dy vjet dhe prindërve të mi nuk u kisha thënë që unë dilja me një djalë dhe as që e merrja guximin t’ua thoja një gjë të tillë derisa një ditë mora vesh se prisja një fëmijë nga Henri. Për të dy, kjo ishte një surprizë e bukur dhe e dhimbshme njëkohësisht. I vetmi fakt që më trembte ishte se si do t’ua thoja prindërve te mi. Një ditë, Henri më ftoi për darkë dhe aty më propozoi për martesë, duke më dhuruar unazën që më kishte blerë.
Unë fillova të qaja, por njëkohësisht, iu betova atij se ajo unazë nuk do të hiqej kurrë nga gishti im. Në fundjavë shkova në shtëpi dhe normalisht, prindërit më panë me unazën në gisht e filluan të më kërkonin llogari. U tregova se kisha dy vjet që isha lidhur me një shokun tim që e kisha patur edhe në shkollën në Londër dhe filluan të më bënin llafe, e para, mami. Ajo, në mënyrë kategorike, nuk pranonte që unë të lidhesha me një të huaj dhe më e madhja u bë kur e morën vesh që Henri ishte me ngjyrë. Nëna bërtiste e ulërinte: “Ku i kishe sytë që u lidhe me një majmun?”. Fjalët e tyre më vrisnin shpirtërisht.
Unë e doja Henrin dhe nuk doja që askush ta shante atë. Nuk mund t’i dëgjoja më teksa bërtisnin e ulërinin me sa fuqi që kishin duke na sharë ne të dyve, ndaj mblodha forcat dhe u thashë: “Po të doni na pranoni dhe, nëse jo, ne kemi vendosur të martohemi, pasi presim një fëmijë”.
Mami filloi të qante me të madhe duke më akuzuar se isha një femër e ulët që ua kisha punuar mbrapa krahëve, por tashmë çdo gjë që ata thoshin ishte e kotë; ne e kishim vendosur. Mami më kërcënoi duke më thënë: “Nëse nuk e heq fëmijën, ne do të kthehemi në Shqipëri dhe ti nuk ke për të na parë kurrë me sy”. Një gjë e tillë nuk mund të ndodhte sepse Henri nuk do të më lejonte. Ai dhe familja e tij ishin shumë besimtarë e të tilla gjëra ata nuk i toleronin, kështu që unë u detyrova dhe zgjodha fëmijën e Henrin. Fjalët e prindërve nuk ishin vetëm fjalë; ata e zbatuan ata që thanë:
U kthyen në Shqipëri dhe ky fakt më dhembi më shumë nga ç’e kisha menduar. Ata nuk ishin të pranishëm në dasmën time, madje as në lindjen e nipit të tyre dhe nuk komunikonin fare me mua. Dija vetëm se ata jetonin në shtëpinë e re që kishim blerë në Tiranë.
Djali kishte filluar të rritej, ai ishte bërë një vjeç dhe kishte marrë shumë nga tiparet e Henrit. Bashkëshorti im e kuptonte se unë po e vuaja shumë indiferencën e prindërve të mi dhe kjo nuk na lejonte që ne të dy të bënim një jetë normale, kështu që ai më urdhëroi që bashkë me djalin të kthehesha në Shqipëri e të bisedoja me prindërit, që ata të më kuptonin. Dhe, kështu bëra; kam gati dy muaj që po jetoj në Tiranë, por asgjë konkrete nuk kam arritur.
Shkova i takova prindërit e mi, me shpresën se kur të shikonin nipin e tyre do të ndryshonin mendje, por asgjë nga këto nuk ndodhi, madje kur e panë djalin me ngjyrë, ma thanë troç që nuk do ta pranonin asnjëherë. Ata kanë frikë se çfarë do të mendojnë njerëzit se e kishin martuar vajzën e tyre me një zezak. Ata, përsëri, më vunë kusht: “Çoje djalin ta rrisë i ati dhe ti atëhere do të jesh vajza jonë”, por këtë nuk mund ta bëj kurrsesi.
Kam dy muaj që mundohem t’ua mbush mendjen, por ata i qëndrojnë besnik mendimit të tyre pa më bërë asnjë lloj tolerimi. Prindërit i dua shumë, por nëse ata do të vazhdojnë në këtë mënyrë, do të më vijë keq për ta. Unë, Henrin dhe djalin i dua shumë e asnjëherë nuk kam për t’i braktisur, thjesht për opinionin e njerëzve dhe mentalitetin e tyre…
(F.M/Faxweb)