Si pasojë e problemeve ekonomike, nëna e tre fëmijëve fillimisht u largua për të punuar në emigracion më pas ajo nuk u kthye më duke e braktisur burrin dhe vajzën e saj 6-muajshe.
Gjatë një interviste për “Fax News”, kryefamiljari i bën thirrje autoriteteve që ta strehojnë pasi e ka të pamundur që të punojë dhe të kujdeset për fëmijët e vegjël.
“Nusja iku në emigrim për të paguar borxhet, iku përkohësisht për 3 muaj. Më pastaj më mori në telefon dhe tha që nuk vij më, i thashë përse do i lesh fëmijët? Më tha që mbaji ti fëmijët. Ka pas raste që fëmijët kanë qenë të sëmurë, i lashë fëmijët duke qarë e kam çuar gocën i vetëm në spital. 11 muaj kujdesem i vetëm për fëmijët, kam dashur për të ikur në punë por nuk mi mban askush fëmijët. Dua të më ndihmoni për qeranë, unë kërkoj të paktën një shtëpi dhomë e kuzhinë që ta mbledh mendjen. Kam 11 muaj që kam ndryshuar shtëpitë, fëmijët torturohen”, tregon burri.
Pas ndarjes së prindërve, fëmija i mitur na tregon se për 10 muaj nuk ka folur me nënën e cila e cila është larguar jashtë Shqipërisë.
“Është shumë e vështirë për të na mbajtur babi. Kur qëndrojmë vetëm kemi frikë, kam motrën e vogël dhe më mungon mami. Nuk falas fare me mamin në telefon, kam 10 muaj që nuk flasim që kur u nda mami dhe babi. Kërkoj ndihmë nuk kemi shtëpi”, tha i mituri.