Përfaqësuesit e shoqatës së transportit publik Dashnor Memaj dhe Konstandin Foni në një intervistë për Fax News, kanë folur mbi vështirësitë ekonomike me të cilat po përballet sektori, që kanë çuar dhe në vendimin për përgjysmimin e flotës së urbaneve që lëvizin në Tiranë.
Memaj dhe Foni u shprehën se ata kërkojnë rimbursimin e çmimit të biletës, ose marrjen e këtij shërbimi në menaxhim të bashkisë, ku operatorët të paguhen përmes një formule në bazë të kilometrave që ata bëjnë.
Sa i takon rritjes së çmimit të biletës, operatorët u shprehën se kjo nuk është në dorën e tyre, por në dorë të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Përfaqësuesit e shoqatës së transportit, folën dhe për problematikën e mungesës së fuqisë punëtore, sipas të cilëve bëhet e pamundur rritja e pagave për shoferët, edhe pse kanë përgjegjësinë e jetëve të qytetarëve.
Memaj: Ne paguajmë taksë qarkullimi, akcizë, në biletën që kushton 40 lekë ne i paguajmë të gjitha, qoftë detyrimet ndaj shtetit, qoftë rrogat e punëtorëve. Shumica e operatorëve janë me llogari të bllokuara, për shkak të detyrimeve ndaj shtetit, por edhe ndaj bankave. Shumë prej kompanive përballen me largime të shumta të punonjësve.
Foni: Kërkesat tona janë bazike, që bëjnë të mundur vijueshmërinë e sektorit, kemi kërkuar rimbursimin e individëve që përfitojnë transport falas, dhe operatorët nuk kanë marrë asnjë pesëlekësh për këto kategori. Ne kemi kërkuar vazhdimisht takime me institucionet përgjegjëse dhe nuk kemi marrë një përgjigje.
Memaj: Mungesa e stafit të punës është bërë një shqetësim i madh, po shkëmbejnë punëtorë, me rritje rrogash. Sektori ka nevojë për më shumë se 1500 personatë punësuar, më e ndjeshme është mungesa e shoferave. Në momentin që flasim nuk ju plotësojmë dot kushtet, shoferët duhet të paguhen të paktën 90 mijë lekë, por operatorët e kanë të pamundur këtë.
Foni: Në rast se nuk do të ketë reagim, mjetet do të jenë në reduktim e sipër dita ditës. Aq mundësi sa operatorët kanë të paguajnë qoftë hidrokarburet, qoftë shërbimet e nevojshme që mjetet kanë për të bërë. Duhet gjetur një zgjidhje që të mos cenohen qytetarët. Operatorët nuk kanë të drejtë për të kërkuar rritjen e çmimit të biletës, kjo bëhet vetëm me vendim të Këshillit Bashkiak, Bashkia mund të rimbursojë biletën aktuale, ata duhet të marrin një vendim. Ne kërkojmë që të kalohet në pagesën lekë/ për kilometër, dhe të ardhurat që vijnë më pas nga sektori të menaxhohen nga ana e Bashkisë.
Discussion about this post