Mbrëmjen e djeshme u dorëzua në polici autori i vrasjes së 62-vjeçarit Haxhi Baçinozi në zonën e kodrave të liqenit.
Në dëshminë e dhënë në polici Islam Myrtaj është shprehur i penduar për vrasjen, dhe ka treguar se shkak është bërë borxhi që i kishte viktimës.
Myrtaj tregon se konflikti ka ndodhur për shkak të një borxhi prej 45 mijë eurosh, ku sipas tij Baçinozi i ka përndjekur dhe vajzat e tij për këtë borxh.
Pjesë nga dëshmia
“Jam penduar, e vrava në gjaknxehtësi, Baçinozin e takova tek Liqeni rastësisht, ndërkohë që ai më shau dhe më goditi. Konflikti ynë është i hërshëm për 45 mijë euro. Haxhiu më përndiqte edhe vajzat për këtë barxh, familja ime kërcënohej prej tij vazhdimisht”.
Deklarata e policisë lidhur me dorëzimin e Myrtajt:
Pas një pune të mirëfilltë hetimore dhe profesionale, të bërë nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, për zbardhjen e vrasjes së ndodhur më datë 16 mars 2019, rreth orës 18:15, tek Liqeni Artificial, ku mbeti i vrarë me armë zjarri, shtetasi H. B., 62 vjeç, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe dokumentimi me prova ligjore i autorësisë së kësaj ngjarje.
Pas trysnisë së madhe të ushtruar nga Policia e Tiranës, kontrolleve të shumta për kapjen e autorit, si dhe negociatave të bëra mes Policisë dhe avokatit të autorit të dyshuar, autori i dyshuar, shtetasi I. M., 61 vjeç, nga Fieri, rreth orës 19.30 është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë i shoqëruar nga avokati i tij.