Partia Demokratike, përmes deputetes Jorida Tabaku e ka quajtur një skemë mafioze vendimin e qeverisë Rama për të dhënë me koncension dhe strehimin e qytetarëve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku shkruan se kjo është një skemë korruptive dhe mahoze, që bëhet për të zhdukur çdo truall publik që ka mbetur në vend, dhe kthimin e tyre në kantiere ndërtimi.
Postimi i plotë i Tabakut:
Qeveria shqiptare ka një mesazh të qartë nga FMN dhe BB në lidhje me shpenzimet dhe buxhetin; fokusimi tek rindërtimi dhe tek rikuperimi i ekonomisë nga pandemia, por ka vendosur të fokusohet tek oligarkia dhe PPP-të.
Vendimi i Qeverisë që përcakton një skemë PPP për strehimin social ku bën bashkëpunëtorë edhe qeverinë vendore është një shenjë që vesi del me shpirtin.
12% e PBB sot është në kontratat e PPP, norma më e lartë në Bashkimin e Europian dhe shumë herë më e lartë se vendet e rajonit.
Ndërkohë që portet, aeroportet dhe çdo pasuri e shqiptarëve (përfshirë edhe pasurinë e tyre personale) është në PPP, qeveria vendos që të thellojë edhe më shumë krizën.
Ajo vendos të kaloj përmes një VKM-je edhe strehimin social në skemën e shëmtuar dhe të pandershme të PPP-ve që ka ngritur në vend.
Një skemë mafioze për të kapur çdo truall të lirë publik që ky i fundit të zhvillohet nga klientët e qverisë. Një skemë e shëmtuar që u përdor dhe në lidhje me truallin e teatrit kombëtar.
Tanimë, do të përdoret kjo skemë korruptive dhe mafioze për të zhdukur parqet dhe për t’i justifikuar si banesa sociale. Kurrë shqiptarët nuk do t’i marrin këto banesa, përkundrazi!
Në një kohë ku borxhi publik po shkon sa 100% e PBB, në një kohë ku detyrimet karshi të tretëve po rriten si pasojë e sjelljes arrogante të qeverisë që po i kushton mbi 445 mln euro në arbitrazh.
Më shumë borxh, më shumë detyrime, më pak mundësi për t’u strehuar por më shumë para për klientët e qeverisë nga paratë e shqiptarëve.
Qytetarët paguajnë më shumë taksa, qeveria i dhuron më shumë para dhe projekte oligarkisë së PPP-ve ndërkohë që komuniteti merr gjithnjë e më pak shërbime në këmbim.