FaxNews ka siguruar pamjet e arrestimit të Gazmend Çelës, zyrtarit të Ndërrmarrjes së Pasurisë Publike në Lushnjë. Çela akuzohet për veprën penale “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”.
Siç shihet dhe në videon e mëposhtme Çela është shoqëruar drejt furgonit të policisë i prangosur nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
Fax News zbardh dosjen e plotë të aksionit të SPAK në Bashkinë e Lushnjes, ku u arrestua kryetari Fatos Tushe, dhe disa zyrtarë të ndërmarrjes së pasurive publike, si dhe dy bizmesmenë.
Ndaj 11 personave të arrestuar rëndojnë akuzat e ”korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “shkelja e barazisë në tendera apo ankande publike”, “shpërdorimi i detyrës” dhe “falsifikimi i dokumenteve”, ndërkohë që hetimet kanë nisur që prej vitit të kaluar.
7 prej personave të arrestuar, përfshirë dhe kryebashkiakun Tushe janë lënë nën masën e arrestit me burg, ndërkohë që 4 të tjerë, punonjës së zyrës së pasurive publike, janë lënë nën masën e arrestit të shtëpisë.
Zyrtarët e Bashkisë së Lushnjes janë prangosur brenda institucionit, ndërkohë që me urdhër të SPAK janë kryer kontrolle dhe në zyra të tjera të bashkisë.
Mësohet se tenderi për të cilën kanë nisur hetimet është me vlerë 240 milionë lekë të vjetra, që ka të bëjë me projektin e një ujësjellësi të ri, dhe Tushe bashkë me zyrtarët e tjerë kanë shkelur barazinë mes kompanive në garë.
Dy biznesmenët e arrestuar janë: Ibrahim Lami, administrator i “Loti SHPK” dhe Bujar Murati, administrator i “Euro alb shpk”.
Arrest me burg
Fatos Tushe, kryetari i Bashkisë së Lushnjes
Flamur Peqini, drejtor i ndërmarrjes së pasurive publike
Ibrahim Lami, administrator i “Loti SHPK”
Bujar Murati, administrator i “Euro alb shpk”
Gazment Çela, zyrtar i ndërmarrjes së pasurive publike
Bektash Nexha, zyrtar i ndërmarrjes së pasurive publike
Blerta Turku, zyrtare e ndërmarrjes së pasurive publike
Arrest shtëpie
Xhemal Hasko, zyrtar i ndërmarrjes së pasurive publike
Margarita Gjermeni, zyrtare e ndërmarrjes së pasurive publike
Andri Nusho, zyrtar i ndërmarrjes së pasurive publike
Ani Simoni, zyrtare e ndërmarrjes së pasurive publike
Lidhur me arrestimin e Tushes, reagoi menjëherë dhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se PS nuk do të mbrojë asnjë zyrtar që ka lidhje me krimin, dhe secili prej tyre duhet të mbrohet vetë përpara drejtësisë.
Kryeministri Rama postim ne Twitter:
Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve.
Çdo zgjedhës duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është flamur beteje i PS për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak.
Ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim ka reaguar menjëherë pas aksionit të SPAK dhe vënies në pranga të kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe dhe 10 personave të tjerë, zyrtarë shtetëtorë dhe biznesmenë.
“Nëse jeni të përfshirë në korrupsion – pa marrë parasysh sa të fuqishëm mendoni se jeni – tani është koha të konsideroni ndikimin që veprimet tuaja do të kenë në familjen dhe vendin tuaj. Tani është koha të merrni në konsideratë nëse ia vlen të shkosh në burg. Tani është koha për të ndaluar. Askush nuk është mbi ligjin!”, shkruan Kim në Twitter.
(Faxweb.al)