Zëdhënësja e qeverisë Rama, Elisa Spiropali ka reaguar për herë të parë lidhur me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në Kavajë me vajzën minorene, e cila është detyruar që të kryejë marrëdhënie me disa persona, pasi e kërcënonon me një video intime.
Spiropali u shpreh se për këtë çështje kanë nisur hetimet, dhe policia ka vepruar menjëherë pas marrjes së denoncimit nga familja e vajzës. Ministrja për Parlamentin dënoi përdorimin politik të ngjarjes, duke thënë se situata të tilla ndodhin dhe në vende të zhvilluara.
‘’Është një rast tmerrësisht, i rëndë dhe duhet të hetohen dhe të vihen para ligjit të gjithë përgjegjësit. Nuk iu besoja syve kur lexova deklaratën e PD-së, që nuk nguron të përdorë raste të tilla për të bërë politikë. Institucionet kanë reaguar menjëherë pas marrjes së denoncimit, dhe unë jam e bindur se edhe prokuroria do të kryejë hetimet e nevojshme.
Raste të tilla fatkeqësisht ndodhin dhe në vende të zhvilluara, bëhen edhe filma për raste të tilla të tmerrshme, po në asnjë nga këto vende forcat politike nuk dalin që të përdorin këto raste për interesat e tyre personale dhe të momentit”, tha Spiropali.
(E.K/FAXWEB.AL)