Ka filluar protesta e banorëve të “Astirit”, protestë e cila shënon ditën e 22 të saj.
Protestës janë bashkuar edhe disa prej protestuesve të liruar, ndër të cilët është edhe 17-vjeçari Paulo Ahmetcenaj, i cili dëshmon se është dhunuar nga policia.
“Përshëndetje në Drejtorinë e Policisë, ka pasur dhunë fizike e psikologjike. Në fillim poshtë ku ka pasur edhe kamera, pastaj më morën veç në zyrë, më detyronin që të pranoja se kam qenë unë. Më nxirnin foto etj.
Gjatë shoqërimit nuk kam pasur dhunë, por në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë ka qenë komplet tjetër. Aty ka pasur dhunë.
Më kanë goditur tek qafa dhe te faqet. Kur më godisnin, erdhi një oficer tjetër e tha lëreni se ky na hap punë se është i vogël. Pastaj përballë disa oficerëve më pyetën nëse do të them gjë për dhunën, dhe duke parë se ishin shumë e mund të më rrihnin sërish, thashë jo.
Më kanë dhunuar e më kanë kërcënuar. Më thonin ti je cub. Bëje provë dil prap. Nëse i kam para mund t’i njoh. Dhunën e kam treguar tek psikologia e dytë, se të parën ma ndërruan”, tha 17-vjeçari.
Dhunën nga policia e ka dëshmuar edhe një qytetar tjetër i liruar, i cili tha: “Në polici ekziston një terror. Ata të komunikojnë se do të arrestohesh, ndërkohë që thjeshtë është shoqëron, pasi nuk është dhënë ende masa e sigurisë për arrest. ”
(B.B/ Faxweb.al)