Kryeministri Edi Rama ishte në konferencën e Autoritetit të Dosjeve për Martin Camajn, por nuk e la jashtë vëmendjes çështjen e kufirit detar. Replikave të njëpasnjëshme me kryetarin e opozitës Lulzim Basha zgjodhi t’ia vendoste vulën në lidhje live duke thënë:
“Më shkon gjuha te deti por s’po merrem me detin sot. S’ka marrëveshje, s’ka negociata. Prej disa vitesh nuk kanë zhvilluar negociata, domethënë thellohu, thellohu.”
Para deklaratës live, Rama bëri një reagim publik dhe ende nuk ka replikë nga Basha. “Për çfarë transparence e ke fjalën Lulëzim, kur s’ka as marrëveshje, as negociata qysh se ka ndryshuar qeveria në Greqi, ndërkohë që as me qeverinë e mëparshme marrëveshja s’është arritur?!Ti do teatër vëlla që të zbavisësh ata që të vijnë në shfaqje, të kuptoj, lum ti medet ata!”, shkroi kryeministri.
Debati mes tyre ka nisur për çështjen e kufirit detar pasi kryeministri grek ka deklaruar që do të zgjerohen me 12 milje dhe opozita kërkon transparencë nga qeveria nëse cënohet hapësira shqiptare.(A.M/Faxweb.al)