Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka kryer një inspektim pranë lumit Erzen, por paraqitja e tij është ndryshe nga ajo çfarë jemi mësuar të shohim. Lleshaj duket i veshur sportiv dhe mban një shkop në dorë teksa është i rrethuar nga natyra dhe duket kaq i ngjashëm me Presidentin Ilir Meta.
Meta i kalon shpesh herë fundjavat duke bërë hiking dhe këtë e tregon shpesh me postime në rrjete sociale. Ndërsa Lleshaj u shfaq me këtë paraqitje për arsye të punës. I shoqëruar me përfaqësues të Policisë, autoriteteve vendore, Lleshaj ka parë nga afër situatën e krijuar lart në mal duke përshkuar përgjatë rrjedhës së tij drejt grykëderdhjes.
‘”Për ta kuptuar mrekullinë e lumenjve që na ka dhuruar Zoti, duhet të shkojmë në burim të tyre. Ne shkuam lart në mal, në burimin e Erzenit, për të nisur prej aty, përgjatë rrjedhës së tij, një udhëtim drejt grykëderdhjes. Objektivi është të ndërpresim të gjitha llojet e derdhjeve barbare në lumë, me qëllim që atyre që banojnë në brigjet e tyre t’u rikthejmë lumin dhe të tjerëve t’u japim një model sesi duhet të trajtohet lumi, si thesar dhe jo si kanal ujrash të zeza”, tha Lleshaj.
Në postimin e publikuar në rrjete sociale, Ministri Lleshaj thotë se të mbrosh Shqipërinë sot nuk kërkohet të derdhësh gjak për të, por thjesht të mos derdhësh mbetje mbi të.(A.M/Faxweb.al)