Më shumë se 30 balena janë gjetur të ngordhura në det pasi dy cisterna nafte u fundosën në mes të dhjetorit në Detin e Zi, njoftoi sot një organizatë joqeveritare e specializuar me qendër në Soçi, Rusia jugperëndimore.
Më 15 dhjetor, dy cisterna ruse, Volgoneft-212 dhe Volgoneft-239, u fundosën gjatë një stuhie në ngushticën e Kerçit, midis Rusisë dhe gadishullit ukrainas të Krimesë, të aneksuar nga Moska në 2014. Anijet transportonin 9200 ton naftë, nga të cilat rreth 40% mund të kishin përfunduar në det.
“Ne kemi regjistruar 61 balena të ngordhura, nga të cilat 32 pas 15 dhjetorit, vdekja e të cilave ka shumë të ngjarë të lidhet me derdhjen e naftës,” raportoi OJQ ruse “Delpha” në Telegram, duke folur për “një numër të shtuar”.
“Pothuajse çdo ditë, ne marrim informacione për vdekje të reja”, vazhdoi organizata që është e specializuar në shpëtimin e delfinëve dhe cetaceve të tjerë në bregun rus të Detit të Zi. Siç vë në dukje OJQ-ja, sipas së cilës “gjitarët e vdekur detarë janë kryesisht balena”, “duke gjykuar nga gjendja e kufomave, ka shumë të ngjarë që shumica e këtyre cetaceve të kenë vdekur në dhjetë ditët e para pas katastrofës detare”.
“Ndotja (e ujit nga derdhja e naftës) është e rëndësishme,” vuri në dukje ai. Prej rreth 3 javësh, autoritetet dhe vullnetarët kanë organizuar një operacion masiv pastrimi, por situata vazhdon të jetë shqetësuese.