Kreu i opozitës Lulzim Basha është shfaqur para mediave dhe ka reaguar në lidhje me helmimin e djeshëm në Miting.
‘’Efektet kanë qenë anësore dhe të përkohshme, të gjithë e dimë që kjo nuk ishte tullumbace. Presim që të vihen përpara përgjegjësisë autorët.
Ne po bëjmë analizën tonë, ftojmë të gjitha autoritetet që të bëjnë detyrën e tyre. Dhe nëse kjo nuk ndodh atëherë shteti ka rënë. Ne do të vazhdojmë me fushatën tonë. Asgjë nuk do të na ndalë’’, u shpreh kreu i opozitës Basha.
Basha u shpreh se ai do të vijojë me takimet elektorale, që sonte në orën 19:00 do të jetë në qytetin e Fierit.
Për ngjarjen reagoi dhe Ministria e Shëndetësisë, ku dha dhe sqarime në lidhje me gjendjen e qytetarëve.
NJOFTIMI I PLOTE
Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (28 maj 2017) janë paraqitur në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pacientë me shenja të helmimit (intoksikacion) si: skuqje të syve, djegie të syve, irritim të shprehur të lëkurës në zonat e ekspozuara të fytyrës dhe qafës, si dhe në raste të veçanta edhe vështirësi të lehtë në frymëmarrje.
Sipas referimeve të marra nga mjekët në shërbim, të gjithë këta pacientë kanë qënë pjesmarrës në aktivitetin e hapjes së fushatës elektorale të Partisë Demokratike, një natë më parë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë.
Mes pacientëve, rreth orës 5:00 të mëngjesit është paraqitur edhe lideri i opozitës z.Lulzim Basha me simptoma të ngjashme.
Ministria e Shëndetësisë po punon për evidentimin e rasteve edhe në spitalet rajonale dhe qendrat shëndetësore në vend. Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë pjesa më e madhe e rasteve. 76 pacientë nga të cilët 9 janë shtruar në shërbimin e okulistikës dhe janë nën vëzhgimin e specialistëve.
Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Rendit dhe Drejtorinë e Policisë po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
(E.K/SHUPLAKA)