4 ekipe në garë për trofeun më të rëndësishëm në kontinent, Champions League. Arsenal-PSG është çifti i parë që zbret në fushë, me dy ekipet që pa diskutim synojnë t’i shkojnë deri në fund, në një kohë kur i kanë mbyllur llogaritë me kampionatet respektive. “Topçinjtë” vijojnë në këtë akt të parë super të karikuar pasi eliminuan një nga ekipet favorite, Real Madrid. Për Mikel Artetën dhe të besuarit e tij ky është një shans ideal për të ëndërruar, për të synuar, trofeun me “vesh të mëdhenj”:
“Për ne është një mundësi e shkëlqyer. Jemi këtu për të bërë krenarë tifozët tanë. Ka një entuziazëm të jashtëzakonshëm, ndihet kudo, kjo është më të vërtetë diçka unike, mezi presim të luajmë. Kemi besim pasi kemi kaluar një sezon të vështirë, pengesa të forta, kemi eliminuar një nga ekipet më të mira në Evropë, por ne dëshirojmë më shumë. Mendoj se për mua kjo është mbrëmja më e rëndësishme, por shpresoj që pjesa më e bukur nuk ka ardhur ende. Arsenali favorit? Nëse shohim historinë jo, nuk e kemi fituar kurrë Champions League”, u shpreh Arteta.
“Bëhet fjalë për një gjysmëfinale Champions League, por ky është një takim me dy ndeshje ku përballë janë dy ekipe me të njëjtin objektiv. Besoj se çelësi i suksesit do të jetë administrimi i presingut, duhet administruar çdo gjë në mënyrën më të mirë të mundshme, kjo është shumë e rëndësishme. Kë shoh favorit? Të gjithë ekipet prezentë në këtë fazë e kanë merituar të jenë këtu. Skuadra ime është më e mirë, më pëlqen më shumë, për këtë arsye jam këtu”, u shpreh ndër të tjera Luis Enrique në konferencë për shtyp.