Kisha e Shën Prodhomit është një nga atraksionet më interesante të Voskopojës, konsideruar një momument i rëndësishëm jo vetëm si përfaqësuese e kohës kur është ndërtuar (shek XVII) por edhe për elementët arkitektonikë të saj.
Kushdo që viziton Voskopojën ka të përfshirë në itinerar edhe një vizitë pranë kësaj kishe por edhe të tjerave që ndodhen në këtë zonë.
Një element frenues ndoshta mes dëshirës, mund të jetë infrastruktura e dobët e cila pranohet edhe nga institucionet vendore të Korçës por duket se do të korrigjohet së shpejti.
Agjencia për Zhvillimin Rajonal në Korçë ka vendosur që të ndërhyjë për të përmirësuar këtë situatë me një projekt të veçantë që është tashmë në fazë tenderimi i njohur si “Rigjallërimi i vlerave historike, kulturore e turistike të Zonës së Zhvillimit Rajonal 3, Korcë, Elbasan Lot 1. Rruga Voskopojë – Kisha e Shën Prodhomit”.
Vlera e këtij projekti pritet që të përcaktohet pas përfudnimit të procedurave por fondi limit është caktuar pak më shumë se 87 milionë lekë.
Situata në terren
Në dokumentat që shoqërojnë procedurën bëhet me dije se situate aktuale e rrugës që lidh Voskopojën me Kishën e Shën Prodhomit është problematike.
“Rruga ekzistuese është një gjendje shumë të keqe. Gjurma e saj është përcaktuar që në kohën e ndërtimit të ish Kampit të Pionerëve shumë vite më parë, por investimet në të kanë munguar për një kohë të gjatë. Shtresat rrugore janë tërësisht të shkatërruara. Mungon ndriçimi rrugor dhe sinjalistika” thuhet në document.
Ndërhyrjet sipas projekteve
Në projekt janë parashikuar të gjitha punimet infrastrukturore për kompletimin e rrugës: Punime rrugore, të cilat konsistojnë në krijimin e shtratit të ri të rrugës, shtrimin me kalldrëm në gjysmën e gjatësisë së saj kurse në pjesën tjetër me asfalt. Punime vepra arti, të cilat konsistojnë në ndërtimin e mureve mbajtës dhe pritës, ndërtimin e tobinove dhe të urës tip “Balley”.
Sinjalistika, e cila konsiston në atë vertikale dhe horizontale Ndriçimi rrugor, për të cilin do të përdoren dy lloje ndriçuesish, dekorativë në pjesën e rrugës të shtruar me kalldrëm dhe të lartë në atë pjesë të rrugës ku shtrimi do të realizohet me asfalt.
Dëmtimi i Kishës së Shën Prodhomit
Kishat e Voskopojës për vlerat që mbartin janë bërë shpesh herë pre e vjedhjeve dhe dëmtimeve. Në Kishiën e Shën Prodhomit Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore pak vite më parë doli në përfundimin se ikonat ishin të riprodhuara dhe jo origjinale.
Tregtimi në tregun e zi i këtyre veprave sjell përfitime marramendëse ndërkohë që rastet e kapjes së autorëve për precedentët e konstatuar mbeten të ulëta./ Monitor