Një situatë e pazakontë u zhvillua sot jashtë godinës së Departamentit të Shtetit, ku dhjetëra punonjës të pushuar nga puna lanë ambientet mes lotësh dhe me sendet e tyre personale në duar.
Në mes të atmosferës së rënduar dhe protestave spontane, vëmendjen e të pranishmëve e tërhoqi prania e ish-ambasadores amerikane në vendin tonë, Yuri Kim e cila iu bashkua protestuesve në trotuarin përballë godinës. Kim u filmua teksa ngushëllonte disa prej ish-kolegëve të saj.
Qindra protestues, përfshirë ish-punonjës dhe mbështetës të tyre, mbanin pankarta kundër asaj që e quajnë një “spastrim politik” nga administrata Trump. Të larguarit u shoqëruan me duartrokitje dhe përqafime, në një atmosferë të mbushur me emocione dhe shqetësim për të ardhmen.
Ky zhvillim përbën një nga riorganizimet më të mëdha të Departamentit të Shtetit dhe ka shkaktuar reagime të forta nga brenda dhe jashtë administratës.